Beleri, dhurata më e madhe që shteti i bëri Greqisë

Kur në mes dhjetorin e vitit të kaluar këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, vizitoi Ballkanin Perëndimor, ai u ndal në të gjitha shtetet tjera përveç Shqipërisë. Shqipëria (ajo zyrtare) është i vetmi vend në rajon që nuk e ka asnjë problem ndër-etnik brenda e me fqinj jashtë. Problematika e shqiptarëve të shpërndarë në shumë toka përtej Shqipërisë, ishte “shpëtimi” i Shqipërisë Zyrtare. Shqiptarët jashtë Shqipërisë ishin/janë mburoja.

Por, kjo mburojë është e pamjaftueshme për ta mbrojtur Shqipërinë nga njerëz si Sali Berisha dhe Ilir Meta. Këta të dy dhe kjo duket e pabesueshme për shqiptarët jashtë Shqipërisë – kanë vënë si kandidat të koalicionit të tyre në krye një kriminel analfabet si Fredi Beleri, i cili fushatën e bën me flamurin e Greqisë mbrapa duke thirrur në helenizimin e Himarës, bashkisë ku garoi (dhe ku duket se ka fituar).

Të pa mësuar me probleme të tilla, shqiptarët në Shqipëri duken të pavetëdijshëm për pasojën e fitores së këtij njeriu dhe krejtësisht të papërgatitur për ta trajtuar si problem. Ata nuk e kuptojnë dot sa e parëndësishme është injoranca aksidentale e fillimit, kur në një të ardhme të afërt do të duhet të merren me pasojën.

Është situatë tjetër, por sa për hir të shpjegimit të parëndësisë së momentit fillestar – sa veta e dinë si filluan trazirat e marsit në Kosovë (ngjarje që ri-ndërtojë krejt idenë rreth shtetit të Kosovës më pas dhe zhvillim që dikton shumë çka edhe sot në lidhje me serbët e Kosovës). Berisha dhe Meta, duke qenë njerëz pa potencial politik, por me potencial shumë të madh destruktiv, kanë rënë në agjendën fare të qartë të krijimit të një problemi ndër-etnik në Shqipëri.

Është e parëndësishme nëse kanë idenë e agjendës ruse, apo naiviteti i skajshëm i ka bërë pjesë të rëndësishme të këtij plani. Të qenit injorantë në këtë situatë nuk të shfajëson nga misioni tradhtar. Se sa naivë dhe të pakujdesshëm janë treguar i gjithë zinxhiri shqiptar në këtë situatë shihet edhe nga mënyra e reagimit. Ata i mundësuan një tutkuni kriminel si Fredi Beleri, të ndërtojë figurën e viktimës.

Një prokuror pa idenë e dëmit, një polici pa ndjeshmërinë e situatës dhe një politikë e verbuar krejtësisht nga dyluftimet triviale e pozicionuan Belerin në qendër të zhvillimeve, e bën temë nacionale, e futën në burg dhe sot “heroi” ka mbështetjen e njerëzve në Himarë dhe atë të politikës zyrtare në Athinë.

Për të shpalosur paradoksin e “situatës Beleri”, i cili temë të fushatës e kishte helenizimin e Himarës nën përkrahjen e koalicionit Berisha-Meta, paramendojeni një situatë ku për shkak të betejës politike në Prishtinë, liderët politikë të Kosovës, përkrahin një kandidat për sllavizmin e Veriut duke përkrahur ndonjë serb në Veri, apo otomanizimin e Prizrenit duke mbështetur ndonjë nga kandidatët turq të Kosovës për kryetar komune.

Dhe e gjithë situata është fare e qartë. Beleri dhe fitorja e tij nuk është qëllimi final. Madje as konflikti që Berisha-Meta duan të shkaktojnë patjetër në Shqipëri që të krijojnë një temë nacionale të problemit me Greqinë që më pas ta përdorin kundër Ramës në Tiranë si kryeministri që po çon vendin drejt konfliktit.

Ky është një plan rus, krejtësisht i dukshëm që dëshiron me patjetër të krijojë defekt mes aleancave perëndimore. Serbinë e ka krejtësisht brenda këtij plani, në Mal të Zi është prej kohësh thellë në politikën e përçarjes, Bosnjë dhe Hercegovinën përmes Milorad Dodikut pothuajse zyrtarisht e ka të vetën, në Maqedoninë e Veriut sforcon problemin ndër-etnik dhe telashet me Bullgarinë, në Kosovë përmes Veriut tenton status-quo’n e tensionit dhe mungonte vetëm edhe Shqipëria.

Ky ishull pa problem etnik në Ballkan duhej shprishur për t’u plotësuar mozaiku dhe kush do ta besonte se ndihma do t’u vinte përmes dy politikanëve që megjithatë shënjojnë hapa të rëndësishëm në shtetin shqiptar. Kur Beleri të marrë pushtetin atje dhe politikë zyrtare e tij të jetë helenizimi i asaj pjese, reagimi shqiptar do jetë i pashmangshëm çka e bën të domosdoshëm trajtimin e situatës në nivele mbi-shtetërore. Si nga hiçi, Shqipëria dhe Greqia do kenë një temë të ndjeshme diskutimi – “çështja e minoritetit grek në Shqipëri”.

Atëherë do të jetë e parëndësishme se për çka, si dhe me kë nisi. Kjo do të harrohet. Por çka s’bën të harrohet kurrë është potenciali shkatërrues i Sali Berishës dhe Iliri Metës që duan të ngrehin gjithë vendin në greminën ku kanë rënë. Për dëme të tilla, në vend normale njerëzit dalin në gjyq, por në Shqipëri dalin në foltore.

Ballkani Perëndimor konsiderohet një target i lehtë për Moskën. Afër Bashkimit Evropian, jo krejtësisht stabil dhe me lidhje të forta me Rusinë, kombinimi duket perfekt për t’i ofruar Rusisë mundësinë ideale për turbulenca që shpërqendrojnë Perëndimin dhe vëmendjen e tyre. Por, nga mësimi i mësuar në Ukrainë, Rusia nuk do as ballafaqim frontal e as shpejtësi të reagimit. Duke u qëndruar taktikave të veta narrative, për Rusinë është shumë më e rëndësishme ta udhëheq problemin nga distanca.

Kontrasti në mes politikës agresive në Ukrainë dhe lëvizjes së ngadalshme në dukje në Ballkan varet shumë nga politikanët në rajon. Sa më pak duket plan rus, aq më shumë plan rus është, prandaj Kremlini vendos armët në dorën e tjetër kujt dhe përmes politikanëve lokalë influencon agjendën. Është fare e thjesht, Rusisë nuk i duhet pushtimi literal i Ballkanit, por ndërtimi i sentimentit anti-perëndimor, pengimi i reformave të iniciuara nga Bashkimi Evropian dhe acarimet ndër-etnike.

Kushto që ndërton mbi këto tri elemente është aleati natyral i Rusisë. Krejtësisht brenda kësaj aleance janë Berisha e Meta. Nëse në Shqipëri nuk e kuptojnë, është detyrë e gjithë shqiptarëve jashtë Shqipërisë të bëjnë luftën e domosdoshme të cilës nuk ia dinë – fatkeqësisht – pasojën akoma në Tiranë.

Marrë nga /Albanian Post/

SHKARKO APP