Belind Këlliçi mesazh Ramës dhe Veliajt për ditën e 1 prillit
Nga parku i liqenit të Kasharit, kreu i të rinjve demokratë Belind Këlliçi, i drejtoi një mesazh urimi kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj.
Me doza të forta ironie Këlliçi e quajti “festë zyrtare” për dy drejtuesit e lartë të vendit dhe PS.
Shkak për këtë urim të pazakontë u bë një premtim i Veliajt tre vjet më parë për ndërtimin e një parku olimpik në Kashar, me pistë biçikletash, shtigje për turistët dhe gara noti. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, ky investim arrinte në 1 milion dollarë. Për të sjellë këtë premtim të pambajtur në vëmendjen e opinionit publik, Këlliçi shfaqi kronikën e kohës kur Erion Veliaj premtonte se nga ky investim 1 milion dollarësh, komuniteti në Kashar do të përfitonte 10 milionë dollarë.
“Asnjë investim në këtë zonë që nga koha kur PD nuk është më në drejtimin e vendit”, u shpreh Këlliçi, i cili mes të tjerash, kërkoi nga qytetarët të refuzojnë me votë këtë model propagande, për të patur një kryeministër normal që do t’i hapë rrugë zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ky ballafaqim realitet-propagandë i ndërmarrë nga Belind Këlliçi, nuk është i pari në daljet e tij publike. Kujtojmë se ishte sërish Këlliçi që tregoi se rikonstruktimi i Shtëpisë së Kulturës në Baldushk nga Veliaj, kishte anën tjetër të medaljes. Atë përtej fasadës.