Belind Këlliçi: Edi Ramën duhet ta ndalojmë një orë e më parë

Kreu i FRPD-së akuza të forta: Kryeministri, hajdut dhe bashkëpunëtor i krimit të organizuar 

Bisedoi: Majlinda Noka

Kreu i të rinjve të Partisë Demokratike i kontaktuar nga “Koha Jonë” lidhur me çështjen e banorëve të zonës së Astirit në Tiranë e cilëson projektin e Bashkisë që parashikon shembjen e disa banesave që preken nga zgjerimi i Unazës së Madhe të kryeqytetit si një projekt tërësisht korruptiv, ku i përfshirë sipas tij është vetë kryeministri Edi Rama. “A ka një vend të vetëm në botë që 2 km kushtojnë 40 milionë euro? 20 milion euro 1 km. Këto janë miliona euro që do përfundojnë në xhepat e Edi Ramës dhe bashkëhajdutëve të tij. Prandaj flet si i çartur, shan e mallkon kë i del përpara”, shprehet ndër të tjera kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi.

Prej tre javësh, banorët e Astirit janë në rrugë. Sa të drejtë kanë banorët në kërkesat e tyre dhe si e shikoni qëndrimin e qeverisë, konkretisht të kryeministrit Rama të shprehur në Kuvend për këtë çështje?

Ky është një rast i pastër korrupsioni pse më thjesht vjedhjen që Edi Rama po iu bën taksave të shqiptarëve, duke shkatërruar mundin dhe djersën e një jete. Është një shkelje flagrante e ligjit. 317 banesave, bizneseve u janë vënë kryqe, siç bënte dikur Serbia në Kosovë për banorët që duheshin bombarduar. Po u çuar asnjë copë letër, pa folur me ta, për dëmshpërblimin as nuk bëhet fjalë as për ata me leje të rregullt e as për ata në proces legalizimi. Një i çmendur që kërkon të çmend një popull të tërë. Erdhi në pushtet dhe e mbolli anembanë vendin me drogë dhe po ikën nga pushteti duke shkatërruar gjithçka i del përpara për një grusht parash. A ka një vend të vetëm në botë që 2 km kushtojnë 40 milionë euro? 20 milion euro 1 km.

Këto janë miliona euro që do përfundojnë në xhepat e Edi Ramës dhe bashkëhajdutëve të tij. Prandaj flet si i çartur, shan e mallkon kë i del përpara. Fyen qytetarë duke i etiketuar me emra që kanë ndërtuar me gjak ato shtëpi e shumë prej tyre tani e 28 vjet nuk i kanë përfunduar akoma. Fyen veriorët se nuk i nënshtron dot, njësoj siç bënte Enver Hoxha dhe regjimi i tij, shkatërron biznese e përvetëson prona për interesa personale ne jug duke thënë s’ka gjë se këta prapë ne na votojnë çfarëdo që t’u bëjmë. Për Edi Ramën qytetarët janë vota që i garantojnë më pas para dhe pushtet. Për të folur shkurtimisht për projektin e Unazës së Re. Skema korruptive është e qartë:

1. Fituesit janë të 3 të paracaktuar, sepse në tre tendera të ndryshëm ka qenë vetëm 1 ofertues i vlefshëm, ndërsa pjesëmarrësi i dytë, është futur për të legjitimuar tenderin dhe nuk ka bërë asnjë ofertë.

2. Kompania DH Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysmë para hapjes së tenderit, nën emrin e kompanisë mëmë Dunwell Haberman ltd.

3. Kompania mëmë e saj është kompani offshore, me pronarë të panjohur, e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili njihet si parajsë fiskale.

4. Kompania tjetër, Biba X, ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para se të shpallej fitues i tenderit prej 18 milionë euro.

5. Kompania Biba X, ka qenë nën sekuestro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re, në shkelje flagrante të ligjit të Prokurimeve Publike. Edi Rama dhe Erion Veliaj duhet t’u thonë sot shqiptarëve kush është pronari i vërtetë që fshihet pas kompanisë guaskë dhe sa është përfitimi për të gjithë skemën korruptive me fitues të paracaktuar në tenderin fitktiv prej 40 milionë eurosh. Norma juridike e vendosur me ligjin për legalizimin të miratuar dhe në fuqi në vitin 2015 e thotë qartë: Edhe në ato raste kur je në proces legalizimi dhe legalizimi nuk ka përfunduar do të shpronësohesh dhe pastaj do të merret prona dhe do të zhvillohet projekti.

Në 2015 në mënyrë tinëzare dhe me makutërinë e hajdutit është ndryshuar ky ligj në mënyrë që këto prona të prishen pa dëmshpërblim, por edhe këtë e ndalon Kushtetuta. Çfarë i kushton Edi Ramës t’i dëgjojë banorët? Çfarë i kushton t’i dëmshpërblejë ata banorë? Me 40 milion për 2 kilometra mund dhe të vjedhë dhe t’i dëmshpërblejë… Po makuteria, harbutëria dhe arrogance e ka kthyer në monstër në raport me qytetarët dhe në lepur në raport me krimin dhe hajdutët e tij.

Kryeministri Rama si argument kryesor për refuzimin e kërkesave të banorëve solli intimidimin e shqiptarëve, se dëmshpërblimin e banorëve do ta paguajnë shqiptarët nga xhepat e tyre. Po në rast se kjo çështje shkon në Strasburg kush do ta paguajë faturën e banorëve? Sipas jush si zgjidhet kjo çështje, pa përfunduar në dyert e gjykatave dhe duke shmangur përplasjet fizike mes shtetit dhe banorëve?

Po 40 milionë euro për 2 km kush do t’i paguajë?! Këtë mega-vjedhje kush e paguan? Po i nxjerr Edi Rama nga xhepi? JO, ata janë paratë e qytetarëve. Janë paratë dhe të atyre që sot kërcënohen me prishje shtëpie. Sepse ata kanë paguar taksa rregullisht në këto 25 vjet.

Prandaj është e domosdoshme sot që të ndalim këtë vjedhje që rëndon në xhepat e shqiptarëve. Nëse e lejojmë këtë vjedhje, kostoja do të jetë edhe më e madhe sepse gjykata e Strasburgut do t’u japë të drejtën këtyre banorëve dhe do kemi dy kosto. Dhe vjedhjen 40 milion dhe dëmshpërblimin për banorët. Këto janë mega-vjedhje.

Fati i banorëve është një gjë, por më e tmerrshme për vjedhja dhe shkelja e hapur e ligjit që bën organizata kriminale e Rilindjes. Kjo është kambana e alarmit, ku është kushtrimi për çdo shqiptar. Po vjedh teatrin për kulla e pallate, po merr pronën e qytetarëve për të vjedhur 40 milionë euro nesër. Ai sot është faktuar mashtrues në çdo premtim që ka dhënë. Nga legalizimet falas, te ulja e akcizës së naftës, punësimi, shëndetësia falas, ulja e çmimit të energjisë në gjithçka.

Sot Edi Rama është një hajdut dhe bashkëpunëtor i krimit të organizuar që po e shkatërron këtë vend dhe po detyron të emigrojnë çdo ditë me mijëra qytetarë. Ky monstër duhet ndalur një orë e më parë.

SHKARKO APP