Belind Këlliçi: Kur qeveria nuk dëgjon, populli ka të drejtë ta rrëzojë

Intervistoi: Majlinda Noka

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi shprehet se rinia shqiptare duhet të ndjekë modelin e të rinjve të viteve ’90. “Të ngrihen për të rrezuar këtë qeveri që po ju mban peng të ardhmen tyre”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai ju bën thirrje të rinjve kudo në Shqipëri, të bashkohen për të përmbushur misionin e të rinjve që rrezuan sistemin diktatorial në ‘90, për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike. Në lidhje me djegien e mandateve Këlliçi thotë se është pro çdo vendimi që do të rrezonte sa më shpejt Edi Ramën. “Po diskutohet dhe djegia e mandateve si një opsion radikal dhe unë mendoj se ky parlament, për shkak të shitblerjes masive të votës dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve, me deputet analfabete, dallkaukë, e me precedentë të rënda penale e ka humbur që në krye të herës legjitimitetin e tij ”,-deklaron kryetari i FRPD-së.

Opozita ka shpallur mosbindjen civile si reagim ndaj qëndrimeve të qeverisë dhe taksave. Cili është synimi final i këtij modeli proteste?

Në këto 5 vite qeveria e Edi Ramës ka treguar arrogancë dhe përbuzje ndaj qytetarëve. Ka rritur taksat, tarifat, çmimet, ka rritur në mënyre të ndjeshme papunësinë dhe varfërinë në çdo cep të vendit. Kudo që të shkoni sot nëpër Shqipëri, këdo të takoni, ka kudo dëshpërim, pamundësi për të paguar taksat, pamundësi për të paguar faturën e dritave e ujit, pamundësi për të siguruar bukën e përditshme. E si të mos mjaftonte ky mjerim, Edi Rama u heq dhe mundësinë e fundit për të blerë bukën e gojës 30 mijë familjeve në nevojë, duke i hequr nga skema e ndihmës ekonomike, vendos taksën në rrugën e kombit, vendos TVSH për biznesin e vogël dhe rrit taksen e pronës. Me sjelljen e tij diktatoriale, Edi Rama nuk dëgjon dhe nuk sheh mjerimin që ka pllakosur familjet shqiptare.

Për Edi Ramen e rëndësishme është të marrë sa më shumë lekë nga xhepat e shqiptarëve dhe ti çojë në xhepat e tij dhe të miqve oligarkë. E kur qeveria refuzon të dëgjojë popullin, ky i fundi ka detyrën ta rrezojë qeverinë. Kukësi i tha Edi Ramës se durimi ishte sosur. E me radhë këtë po ia thotë biznesi, fermeret, naftetaret, studentet e i gjithë populli. Sot nuk ka shqiptarë që nuk e di se me Edi Ramën Shqipëria po shkon keq e më keq. Opozita nga ana tjetër është në krah të qytetarëve. Edi Rama është frikacak, por kjo nuk mjafton. Vendit i duhet një qeveri që mendon për ta çdo ditë dhe jo një Kryeministër që u merr qindarkën e fundit, e nëse hapin gojën e protestojnë i fut në burg. 2 miliardë dollarë më shumë taksa paguajnë sot shqiptarët. Por a ka sot më shumë rrugë, shkolla, spitale, a kemi sot më shume punë?  Përgjigja është padyshim JO, përkundrazi ka më shumë emigracion. Unë sot dua t’i bëj thirrje çdo qytetari që të ndërgjegjësohet. Sa më shpejt të largohet Edi Rama, aq më shpejt shpëton Shqipëria dhe shqiptarët.

Të martën opozita ka shpallur tubimet e radhës të mosbindjes civile. Si u përgjigjeni qytetarëve që ankohen se partitë po u bllokojnë rrugët?

Unë s’kam dëgjuar asnjë qytetar në fakt të ankohet. Por kam parë me qindra qytetarë që fikën makinat dhe iu bashkuan mosbindjes civile në mënyrë masive. Madje ishin me dhjetëra qytetarë që kishin dhe mesazhe kundër Edi Ramës, kryesisht nga Vlora e cila ka pësuar dhe dëmet më të mëdha ekonomike nga Edi Rama. Por thika i ka shkuar në palcë çdo shqiptari që sot ndjehet i dhunuar dhe i turpëruar që ka ministër të Brendshëm vëllanë e një trafikanti droge në kërkim ndërkombëtar.

Ndërsa premtoni largimin e qeverisë, a është normale që PD dhe opozita vijojnë të marrin pjesë në punimet e Kuvendit?

Opozita do të ndjekë të gjitha format e reagimit qytetar e demokratik. Denoncim, protestë, mosbindje civile e të tjera që do t’i ndiqni hap pas hapi.

Për shumë opozitarë, veprimi më i radikal që do të detyronte qeverinë të rishikonte pozicionin është djegia e mandateve të deputetëve. Si përfaqësues i PD-së, jeni pro djegies së mandateve të deputetëve, apo vazhdimin e betejës me mjete të tjera?

Unë jam PRO çdo vendimi që do të rrezonte sa më shpejt Edi Ramën. Dhe jam i bindur se PD do të marrë të gjitha vendimet e duhura në këtë drejtim. Natyrisht që po diskutohet dhe djegia e mandateve si një opsion radikal dhe unë mendoj se ky parlament, për shkak të shitblerjes masive të votës dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve, me deputetë analfabetë, dallkaukë, e me precedentë të rënda penale, e ka humbur që në krye të herës legjitimitetin e tij.

Ka dhe një kritikë për protestat që mund të kthehet në një kauzë të qeverisë kundër opozitës. Ideja është se protestat, në këto momente, mund të kenë efekt në marrjen e statusit të vendit kandidat. A rrezikon PD të marrë kosto nga këto protesta?

Protesta është forme demokratike reagimi në çdo vend europian. Besoj se ju e keni ndjekur pak ditë më pare protestën e dhunshme në France të punonjësve të hekurudhave. Ky nuk është një argument. Sot s’ka asnjë ndërkombëtar që nuk e di se ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është i përfshire në trafik droge, që me mbështetjen e Edi Ramës, vëllai i tij është kthyer në kapon e trafikut të kokainës duke e përdorur Shqipërinë si vend tranzit. Këto janë disa nga arsyet pse vendet kryesore të BE janë hezituese të hapin negociatat me Shqipërinë. Unë uroj dhe shpresoj që Shqipërisë t’i hapen negociatat pasi qytetarët e ndershëm të këtij vendi e meritojnë më shumë se çdokush integrimin e Shqipërisë plotësisht në Europë. Shqiptarët nuk e meritojnë një ndëshkim për shkak të qeveritarëve të korruptuar dhe kapur nga krimi.

FRPD ka pasur një rol jo të vogël në këto protesta. Cili është mesazhi që doni të përcillini te të rinjtë?

Sot është koha që të marrim fatin tonë në dorë duke ndjekur modelin e të rinjve të viteve ‘90, të ngrihemi për të rrëzuar këtë qeveri që po mban peng të ardhmen tone. Është detyra jonë, është misioni ynë që duhet ta përmbushim pa më të voglin hezitim. Prandaj u bëj thirrje të rinjve kudo ne Shqipëri, studentëve, gjimnazisteve të bashkohemi për të përmbushur misionin e të rinjve që rrezuan sistemin diktatorial në ‘90, për një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri demokratike, një Shqipëri si e gjithë Europa.

SHKARKO APP