Belind Këlliçi: Protesta derisa Edi Rama dhe banda e tij të largohen

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi: Integrimi pengohet nga kreu i organizatës kriminale që qeveris sot Shqipërinë, Edi Rama

Intervistoi: Majlinda Noka

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi thotë se protestat që nisin të shtunën do të vijojnë derisa kryeministri Edi Rama të largohet. Një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, kryetari i FRPD-së sqaron arsyet se pse shqiptarët duhet të protestojnë më 27 janar. Ai rendit një sërë problemesh që nisin nga që nga varfëria, krimi, keqqeverisja dhe largimin masiv të shqiptarëve jashtë vendit. Lidhur me mënyrën sesi do të zhvillohen protestat dhe nëse mund të ketë incidente, Këlliçi thotë se protesta do të jetë demokratike dhe do të jetë qytetarët ata që do të shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisjes. “Protesta do të jetë proteste demokratike. Protestuesit do të reagojnë për varfërinë, mjerimin, papunësinë, padrejtësinë me të gjitha mjetet dhe mënyrat demokratike. Sepse nuk mund të tolerohet më që një kryefamiljar të shkojë në burg për një fature uji 200 lekë të papaguar’’,- shprehet Belind Këlliçi. Lidhur me bashkëpunimin PD-LSI, Këlliçi thotë se misioni i çdo force opozitare dhe qytetari është largimi i qeverisjes. “Të largojmë Edi Ramën, tu garantojmë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pastaj hap pas hapi do të jenë anëtarët dhe strukturat e PD-së që do vendosin për të ardhmen”,- shprehet Belind Këlliçi.

Zoti Këlliçi si po përgatiten strukturat rinore të PD për protestën dhe cili është qëllimi final i saj?

Protesta e 27 janarit është përtej një partie politike, përtej një forumi rinor, është protesta e njerëzve të thjeshtë, njerëzve të ndershëm, të sëmurëve, të pamundurve, është protesta e të rinjve, pra është protesta e çdo qytetari që sot jeton më keq e që ka me pak mundësi dhe refuzon politiken e krimit dhe drogës. 290 mijë shqiptarë vuajnë për ushqim ndërsa 400 milionë euro janë shpenzuar nën qeverisjen e  Edi Ramës për fasada, 60 mijë fëmije ushqehen një herë në ditë, 39% nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, ndërkohë që 300 milionë euro ka shpenzuar Edi Rama për luksin e tij, 43 përqind e familjeve nuk sigurojnë dot ngrohjen, ndërsa në 2017 Edi Rama shpenzoi 350 mijë euro për kondicionerë në kryeministri. 40 biznese mbyllen çdo ditë, 13 mijë në 2017, nga pamundësia për të paguar taksa, ndërkohë që shqiptarët paguajnë në vit 1.5 miliardë euro më shumë taksa. Shqiptaret shkojnë në burg për një faturë dritash të papaguar ndërsa qeveria e Edi Ramës ka vjedhur dhe shpërdoruar 2.8 miliardë dollarë në katër vite, sipas KLSH. Këto besoj janë arsye të mjaftueshme që çdo shqiptar të jetë më 27 janar në sheshin e protestës. Në këtë vend drejtësia është kapur nga Edi Rama prandaj duhet protestuar se nuk ka shpresë për drejtësi të pavarur. Nuk ka shpresë se të korruptuarit do të përballen me drejtësinë. Nuk ka shpresë se Saimir Tahiri do shkojë në burg sepse nga trafiku drogës ka përfituar 5 milionë euro çdo muaj. Nuk ka shpresë që Vangjush Dako do të japë llogari për bashkëpunimin me kriminele në blerje votash, që Qazim Sejdini do dënohet për trafik ndërkombëtar droge. Edi Rama po zbraz burgjet nga kriminelet për të futur qytetaret që s’paguajnë dot faturën e ujit. Unë besoj se sot për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi ka arsye për të protestuar. Të rinjtë janë në proteste çdo ditë. Protestojnë studentët për tarifat e papërballueshme, për ligjin klientelist të arsimit të lartë, për papunësinë dhe më e rënda është protesta e heshtur, largimi jashtë vendit. 110 mijë të rinj janë larguar në shifra zyrtare. Mijëra të tjerë janë larguar në 2017 në atë që njihet si emigrimi i heshtur. Mbi 1000 infermierë e 600 mjekë janë larguar. Vendi po zbrazet, mjerimi po shtohet dhe më këtë qeveri s’kemi parë asgjë akoma. Prandaj të rinjtë janë në këmbë, FRPD është në balle të kësaj proteste dhe ne do të jemi aty derisa Edi Rama dhe banda e tij në pushtet të largohen.

Të rinjtë janë pjesa e shoqërisë më pak e angazhuar, por edhe më e zhgënjyer nga politika. Përse një i ri apo e re duhet ti përgjigjet thirrjes së opozitës për të marrë pjesë në tubime?

Siç e thashë edhe më lart ata duhet të ngrenë zërin e të protestojnë për jetën, për pamundësinë, për të gjetur një punë, e për të paguar tarifat e shkollimit. Mjafton ti hedhim një sy statistikave për të kuptuar se në çfarë situate është rinia sot. 62% e të rinjve shohin papunësinë si shqetësimin kryesor. Ndërkohë 1 në 3 të rinj në Shqipëri janë të papunë. 110 mijë të rinj nga 14-34-vjeç kanë emigruar gjatë qeverisjes Rama. Kështu truri po largohet me shpejtësi. Problem më i rëndësishëm është varfëria që po i pamundëson të rinjve të vazhdojnë studimet. Shtuar kësaj dhe ligjin klientelist të arsimit të lartë dhe rritjen e tarifave. Kontrolli i Lartë i Shtetit konfirmoi në një raport të posaçëm kaosin e shkaktuar gjatë procesit të pranimeve në universitete në 2016. Mijëra gjimnazistë u penalizuan, ç’ka u shoqërua dhe me protesta të shumta. Por KLSH shprehet se Matura 2016 pati kosto edhe për qytetarët, pasi aplikantët që mund të ishin pranuar në universitete publike, u regjistruan pas limitit kohor në ato private, ku sipas vlerësimeve të KLSH, tarifat e edukimit janë 6 deri në 10 herë më të larta. “Më të penalizuarit janë maturantet me nota të mira dhe që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta apo edhe mesatare”,- vlerësoi grupi i punës së KLSH. Të rinjtë në 90-tën ngritën zërin dhe sollën ndryshimin historik të Shqipërisë, të rinjtë sot duhet të protestojnë për një Shqipëri europiane, për punë dhe për më shumë mundësi. Që të ardhmen mos ta shohin në emigrim, por në vendin e tyre. Çfarë i pengon sot të rinjtë të punësohen në Shqipëri? Qeveria e Ramës kishte 3 prioritete: kanabizimin e vendit, shpërblimin për kriminelet që e sollën në pushtet dhe projektet korruptive për të mbushur xhepat e miqve dhe klientëve të Rames. Asnjë investim serioz që hap vende pune nuk është bërë në katër vite të qeverisë Rama, asnjë investim i huaj apo strategjik. Janë mbyllur me mijëra biznese. Rritja e taksave ka pamundësuar iniciativat vetëpunësuese për të rinjtë. Investimet kanë shkuar për fasada dhe koncesione që mbushin xhepat e pushtetarëve. Që të zësh një vend pune në qeverinë Rama, duhet të jesh marrë me trafik droge, prostitucion ose të kesh kryer krime nga më ordineret si vjedhje banesash e deri tek krimet më të rënda si plagosje e vrasje. E vetmja mundësi punësimi për të rinjtë janë arat e kanabisit ose trafiku i drogës. Prandaj të rinjtë duhet të bashkohen me 27 janar për shanse dhe mundësi për punësim te tyre. Për një qeverisje që vlerëson dhe përzgjedh më të mirët dhe jo me kriminelët.

Ka shumë deklarata për mënyrën si do sillen protestuesit. Do jetë protestë paqësore? 

Do jetë protestë demokratike. Protestuesit do të reagojnë për varfërinë, mjerimin, papunësinë, padrejtësinë me të gjitha mjetet dhe mënyrat demokratike. Sepse nuk mund të tolerohet më që një kryefamiljar të shkojë në burg për një fature uji 200 lekë të papaguar dhe Sajmir Tahiri, që siç thonin kushërinjtë Habilaj në 6 muaj ka bërë lekë nga trafiku i drogës sa për të shkuar në hënë, është i lirë nën mbrojtjen e Edi Ramës.

Zhvillimi i protestave po cilësohet nga PS si pengesë qe opozita po i bën integrimit të vendit. A mendoni se protestat do dëmtojnë hapjen e negociatave?

Kjo është propaganda mjerane e Edi Ramës. Integrimi pengohet nga kreu i organizatës kriminale që qeveris sot Shqipërinë, Edi Rama. Kush vend do t’i japë votën për integrim një kryeministri që i jep mbrojtje një ministri te brendshëm, që drejton trafikun ndërkombëtar të drogs??? Një kryeministri që ka emëruar ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti droge të kërkuar ndërkombëtar. Një kryeministri që e ka mbushur parlamentin dhe administratën me persona me precedentë penalë, kriminelë, trafikantë, përdhunues etj.  Një kryeministri që drejton prokurorinë e përgjithshme dhe që po bën gjithçka për të vënë nën kontroll institucionet e drejtësisë. Pasi vetëm në këtë mënyrë ai dhe hajdutet e kriminelet e tij mund ti shpëtojnë drejtësisë. Këto janë fakte që i ka çdo kancelari Europiane. Shërbimet partnere ndërkombëtare ia kanë dhënë opozitës faktet që implikojnë Ramën, ministrat dhe kryebashkiakët e tij në trafiqe dhe bashkëpunim me krimin. Protesta është mjeti më demokratik për çdo vend europian. Nëse shqiptaret duan integrim të shpejtë, kjo është e mundur vetëm me largimin e Edi Ramës.

Si e vlerësoni bashkëpunimin e PD-LSI? Nisja e këtij bashkëpunimi të ngushtë me LSI mund t’ju çojë në një koalicion në zgjedhjet e ardhme?

Largimi i Edi Ramës është sot detyrë e çdo qytetari, e FRPD është në ballë të kësaj proteste dhe ne do të jemi aty derisa Edi Rama dhe banda e tij në pushtet të largohen çdo partie politike. Prandaj një bashkim sa më i madh politik dhe qytetar është i rëndësishëm, është jetik për t’i dhënë fund krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes. Të largojmë Edi Ramën, tu garantojmë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pastaj hap pas hapi do të jenë anëtarët dhe strukturat e PD-së që do vendosin për të ardhmen.

SHKARKO APP