Ben Blushi: Piluri i përgjumur…
Piluri është një fshat mbi Himarë. Kur është kohë e mirë, nga lartësia e Pilurit sheh edhe brigjet italiane që vezullojnë natën. Tani në Pilur jetojnë më pak se 100 banorë, shumica e të cilëve mblidhen cdo pasdite në një shesh, në mes të të cilit ngrihet një pemë shumë e madhe që u bën hije vendasve dhe të huajve. Jashtë hijes së kësaj peme shekullore, janë ngritur nja dy lokale për turistë dhe një monument në kujtim të partizanëve të fshatit, që është gjithmonë në diell.
Unë shkova në Pilur një pasdite, kur disa burra po bisedonin ulur në stolat e sheshit. Fëmijët e prapë të fshatit i kishin lyer stolat me baltë, për ti ngacmuar pleqtë që rrinin ulur si mbi gjemba. Të gjithë kujdeseshin mos pantallonat u bëheshin pis, jo dhe aq nga frika e baltës por më shumë nga frika e grave. Piluri është një fshat që ka më shumë burra se fëmijë, cka i bën gratë pak të egra. Ndoshta për këtë arsye njëri prej tyre po flinte bashkë me tespijet dhe kapelen që e kishte vendosur me kujdes para se ta zinte gjumi. Meqë nuk desha ta zgjoja, i kërkova shokëve të tij ta fotografoja dhe ata më thanë, sa herë të duash, duke qeshur. Mesa kuptova gjetën një mënyrë për ta tallur, kur ai të zgjohej.
Nuk i pyeta pse ai burrë me tespije po flinte aty në shesh megjithëse duhet ta kishte shtëpinë jo më shumë se 50 metra larg. Këto janë gjëra që merren me mend dhe nuk ke pse pyet.Të pyesësh pse një burrë fle në hijen e rrapit është njëlloj si të pyesësh pse një grua gatuan mes mëngjesit dhe drekës.Në sheshet e fshatrave që ndoten nga fëmijët dhe pastrohen nga gratë, burrat bëjnë cdo gjë. Aty lindin, aty luajnë, aty rriten, martohen, grinden, pajtohen, flenë dhe vdesin.
Si në Pilur.