Benet Beci: Hekurudha Shqipëri-Kosovë do të kalojë nga Shkodra
Kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci së bashku ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u takuan me ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu dhe deputeten Mimoza Kusari.
”Hekurudha Shqipëri-Kosovë do të kalojë në Shkodër dhe në këtë frymë pozitive bashkëpunimi prita me shumë kënaqësi ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, z. Liburn Aliu dhe deputeten Mimoza Kusari, në prani edhe të Ministres së Shtetit, znj. Elisa Spiropali. Jemi të gjithë të lumtur për zhvillimin që do të sjellë ky investim madhor.
Gjatë këtij takimi folëm në detaje për këtë bashkëpunim mes dy vendeve tona që u jep një dimension tjetër Shkodrës dhe Gjakovës, por edhe të gjithë rajonit, duke e kthyer Shkodrën në qendër rajonale. Projektet tona të përbashkëta do të vijojnë akoma më tej në investimet e përbashkëta në infrastrukturë”,-shkruan Beci.
Po ashtu Spiropali bëri të ditur se Shqipëria dhe Kosova do të jenë gjithmonë krah njëra-tjetrës për të forcuar bashkëpunimin, në dobi të qytetarëve tanë andej dhe këtej kufirit të Kombit.
“Dëshmi janë projektet e përbashkëta strategjike dhe kombëtare, siç është së fundmi ai i hekurudhës Durrës-Prishtinë që do të lidhë dy krahina të lidhura historikisht, Shkodrën me Gjakovën, dhe do t’i japë Shkodrës rëndësinë e merituar në rajon”, shkruan ministrja në një postim në rrjetet sociale.
Statusi i plotë nga Spiropali
Mirëpritëm sot në Shkodër Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovës, z. Liburn Aliu, deputeten Mimoza Kusari dhe delegacionin shoqërues.
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona forcohen gjithnjë e më shumë. Dëshmi janë projektet e përbashkëta strategjike dhe kombëtare, siç është së fundmi ai i hekurudhës Durrës-Prishtinë që do të lidhë dy krahina të lidhura historikisht, Shkodrën me Gjakovën, dhe do t’i japë Shkodrës rëndësinë e merituar në rajon.
Shqipëria dhe Kosova, gjithmonë krah njëra-tjetrës për të forcuar bashkëpunimin, në dobi të qytetarëve tanë andej dhe këtej kufirit të Kombit.