Benet Beci: Që Shkodra të vijojë ta ketë biçikletën sinonim të përkatësisë së saj identitare
Albert Vataj
Në vijim të punës për të ndryshuar Shkodrën, për t’ua kthyer atë qytetarëve dhe qytetarisë shkodrane, kryebashkiaku, Benete Beci, ka ndarë në rrjetet sociale një video, ku pasqyrohet puna që është bërë për të shtrirë korsinë e dedikuar të biçikletave në të gjithë qytetin.
“Rrjeti i korsive të mbrojtura të biçikletave po shtrihet edhe në zonën industriale” shkruan në postim e tij, Benet Beci.
Përdorimi i biçikletave në Shkodër ka një histori të gjatë dhe përdorimi i dendur i këtij mjeti transporti personal e ka kthyer atë në një logo për qytetin, në një sinonim të përkatësisë së saj identitare.
Shkodra identifikohet përmes shumë pikëkulmimeve që shkruajnë copëza të historisë së këtij qyteti dhe e skalisin atë me një vezullim dritëlëshues nga shkëndijat që ndezën shpirtin shkodran. Prej shumë këtyre shkëlqimeve, biçikleta është me vlerën e një ikone të qytetit, e cila edhe pse nuk u bë pjesë e ndonjë flamuri apo të ishte element heraldik i ndonjë kohe, sërish ajo mbeti me të njëjtën vlerë.
Qyteti ka një numër të madh përdoruesish të biçikletave, dhe kjo traditë vazhdon edhe sot, dhe për ta vlerësuar dhe konsideruar sa dhe si duhet këtë prirje të shkodranëve, kreu i Bashkisë, Benet Beci, që në hapat e parë të transformimit të qytetit, e ka trajtuar me prioritet këtë komponent të Shkodrës që ndryshon.
Sepse Shkodra ka jetuar me biçikletën që në vitin 1907, kur biçikleta e parë arriti në Shkodër nga konsulli suedez dhe jeton dhe do të jetojë me të në një dashuri të gjithmonshme.
Sepse në Shkodër biçikleta është edhe art, atë e gjejmë në fotografi dhe në poezi, siç i identifikon shkodranët si kampon të kampionëve në sportin e çiklizmit.
Për të promovuar përdorimin e biçikletave dhe për të ndihmuar në ruajtjen e mjedisit natyror, Shkodra feston “Ditën e Biçikletës”. Kjo ngjarje nxit qytetarët të përdorin sa më shumë biçikletën, por edhe për tëq qenë konservator në ruajtjen e saj dhe mbajtjen e këtij mjeti si një testament në thesaret e qytetit.
Megjithëse, infrastruktura për lëvizjen me biçikleta në qytet është shoqëruar me një përkeqësim të dukshëm gjatë 30 viteve të fundit, kryesisht për shkak të numrit të madh të automjeteve në rrugë, zgjidhja është pjesë e axhendës së autoriteteve vendore për zhvillimit të qytetit.
Është pikërisht ky intensifikim i jetës së Shkodrës, që imponoi ndryshim të gjendjes dhe ngarkim i fluksit të mjeteve në rrugë, që nuk ka kaluar pa vëmendjen e duhur nga autoritetet vendore, të cilat me shtrirjen e korsive të dedikuara për biçikleta në të gjithë qytetin, do të bëjnë të mundur normalizimin e qarkullimit të poseduesve të biçikletave.
Gjithçka për këtë e tregojnë, më mirë se faktet asgjë tjetër, për një Shkodër që mbetet e dashuruar me biçikletën, për shkodranët e apasionuar për ta patur atë si simbol, kujtesë, nostalgji dhe zgjidhje për qarkullimin në këtë kohë diktati të makinave.