Beqaj u hap luftë lokaleve në jug
Deputeti i PS, njëherësh ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është shprehur i shqetësuar për situatën e pandemisë, sidomos në Jug të vendit dhe në beach bare, aq të frekuentuara nga pushuesit në këtë periudhë.
Sipas Beqajt, dy beach bar-e të njohur nuk i respektojnë rregullat e pandemisë dhe po çojnë dëm sakrificat e personelit mjekësor, ndaj sipas tij administratorët e këtyre bizneseve duhen ndëshkuar.
“Lufta me Covid-19 është luftë në territor. Beteja kryesore këtë javë është në bregdetin e Jonit.
Beach bar më beach bar dhe club më club. 24 orë në çdo ditë. Duke filluar nga prototipët si Nazar e Folie Marine e të gjithë me radhë. Aty po lejohet të ndodhin “plagosje me paramendim”.
Aty po sakrifikohet sakrifica 5 mujore e personelit shëndetësor. Aty po nëpërkëmben politikat mbështetëse ndaj grupeve më të dëmtuara nga pandemia. Babëzisë së pronarëve së atyre bizneseve për të fituar shumë e shpejt në kurriz të shëndetit të shqiptarëve duhet t’i përgjigjemi me forcën e ligjit.
Karshillëku i administratorëve të atyre bizneseve për të shkelur ligjin meriton ndëshkimin shembullor. Situatat e paqarta që kalojmë kërkojnë vendosmëri të leadershipit.
KOHA ËSHTË TANI!”, shkruan Beqaj.