Berisha deklaron nga dritarja se do ta rrëzojë kryeministrin
Sali Berisha vazhdon betejën nga dritarja kundër kryeministrit. I vendosur në arrest shtëpie ai betohet se do ti fitojë zgjedhjet e vitit 2025 dhe se mendon se do të jetë kryeministër për herë të tretë.
Duke menduar se ardhja e Gaz Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt ia ka rritur forcën PD, ish-kryeministri flet i lumturuar nga shtëpia e tij kundër Edi Ramës. Ndërkohë Myslim Murrizi dhe shumë të tjerë e shikojnë mes mosbesim ardhjen e grupit të Bardhit.
Duke vazhduar ritin e përnatshëm ku mblidhen disa demokratë poshtë dritares së tij, Berisha vazhdon epopenë e tij.
Ai deklaroi ndër të tjera: “Ju jeni qëndrestarë, qëndrestarë të të vërtetës.
Ju garantoj se rrallë ndonjëherë në histori mund të ketë pasur njerëz që të kenë zhvilluar një betejë më epike, më të rëndësishme, më të jashtëzakonshme se kjo që po zhvilloni ju sot.
Krahas aleancës me krimin, e cila është e gjithëpushtetshme mbi jetën e qytetarëve, e gjithëpushtetshme mbi jetën e bizneseve, e gjithëpushtetshme në jetën e vendit, organizata kriminale qeveri me në krye Edi Ramën po përdor tiraninë e varfërisë kundër jush, kundër qytetarëve të thjeshtë.
Të dashur miq!
Parafolës këtu theksuan çështjen e rrogave dhe të pensioneve.
A ka gjë më dramatike se sa ngrirja e pensioneve për 10 vite me radhë, në një kohë kur çmimet jo gjatë 10 viteve, por vetëm 4 vitet e fundit, janë rritur me 40 përqind.
Pensionet e 670 mijë burrave dhe grave, që kanë shkrirë jetën e tyre për një Shqipëri tjetër, kanë mbetur aty ku ishin.
A nuk është kjo një qëndrim çnjerëzor, një përçmim ekstrem ndaj këtyre burrave dhe grave si qenie njerëzor, ndaj dinjitetit të tyre?
A nuk është kjo një grabitje e tmerrshme në kurriz të tyre?
Por çfarë ndodhi, cila është arsyeja që të ngrihen pensionet, që të ketë zero rritje pensione për 10 vite?
Për ç’motiv, ku e bazon Edi Rama këtë pashpirtësi ekstreme?
Mungojnë paratë? Jo, absolutisht. Jo dhe jo.
Në vitet 2005-2013, pensionet e ulëta u dyfishuan. Pensionet e tjera u rritën me 80 përqind, ndërkohë me fonde publike u ndërtuan dhe u rindërtuan 11 mijë kilometra rrugë, u ndërtuan dhe rindërtuan 1300 shkolla, u dyfishuan rrogat e punonjësve.
Atëherë çfarë ndodh, në një kohë kur taksat ky regjim i dyfishoi, ku shkojnë këto para?
Këto para vidhen dhe vetëm vidhen.
Prandaj të dashur pensionistë, mendoni njëherë për veten tuaj.
Pavarësisht nga botëkuptimi që mund të kemi, por t’u lësh ju sot me zero rritje pensioni dhe të rrisësh 100 përqind rrogat e ministrave, deputetëve, zyrtarëve të lartë, a nuk është kjo një krim i shëmtuar, a nuk është kjo t’u përcjellin ju sa më parë nga kjo botë për mungesë ilaçesh dhe ushqimi.
Miqtë e mi!
Po nëse rrogat e ofiqarëve të lartë u rritën 80 gjer në 100 përqind, sa u rritën o qytetarë, rrogat e shërbëtorëve tuaj në arsim apo shëndetësi?
Ato u rritën nga 0.3 gjer në 7 përqind. Dhe tani së fundmi profesionet e lira, edhe këta të gjithë shërbëtorët tuaj, iu vendos taksa e re 23 përqind. Në mënyrë që këta të ikin, të ikin dhe vetëm të ikin.
Të dashur qytetarë shqiptarë.
Në këto kushte kur vritesh nga shteti dhe krimi fshihet.
Në këto kushte kur vidhesh në mënyrë të tmerrshme nga qeveritarët dhe vjedhjet nuk ndëshkohet.
Në këto kushte kur drejtësia kontrollohet tërësisht nga bota e krimit, ryshfetit dhe Edi Rama.
Në këto kushte kur vota jote nuk ka asnjë vlerë sepse Edi Rama rotacionin nuk pranon.
Të mbetet vetëm një rrugë, betejë pa kthim, o sot o kurrë, të përmbysim këtë diktaturë, të krijojmë qeveri teknike, të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Të marrim në dorë fatin tonë, të mos lejojmë më të shkelmohet fati dhe e ardhmja jonë nga armiqtë e egër të saj, nga ata të cilët vjedhin dhe varfërojnë çdo ditë shqiptarët.
Nga ata të cilët krijojnë kushtet për largimin e tyre nga Shqipëria.
Nga mafia e urryer ndërkombëtare, çnjerëzore që iu vërsul, e Xhorxh Sorosit, McGonigalit, korruptorëve të tjerë, që iu vërsul në një barbari kundër opozitës shqiptare për të lënë Shqipërinë pa opozitë, për të vrarë shpresën e shqiptarëve, për të mbajtur në pushtet kryekryeminelin, kryehajdutin që shqiptarët kanë pasur në të gjitha kohërat, Edi Ramën.
Le t’i japim ne përgjigjen e merituar, o sot o kurrë, në betejë pa kthim” tha Berisha.
Por kryeministri Rama synon të marrë zgjedhjet e vitit 2025 dhe 2029!