Berisha: Dje në Shqipëri nisi beteja pa kthim për qeverinë teknike dhe rotacionin politik

Sali Berisha thotë se dje në Shqipëri nisi beteja pa kthim për qeveri teknike. Nga dritarja e banesës, ish-kryeministri që është në izolim që prej 30 dhjetori 2023, tha se ka nisur tashmë beteja për votën e lirë, për ndryshimin dhe rotacionin.

Pjesë nga fjala

Miqtë e mi, që nga nata e mbrëmshme, që nga protesta madhështore e natës së mbrëmshme, Shqipëria nuk është më e njëjta sepse protesta e djeshme ishte protesta më e paparë dhe në kushtet më të jashtëzakonshme që ndryshoi përfundimisht ekuilibrat e imponuara nga narkoshteti i Edi Ramës në Shqipëri.

Dje, në Shqipëri nisi beteja pa kthim e shqiptarëve që nuk është bërë ndonjëherë më parë për qeveri teknike, për votën e lirë, për ndryshim, rotacion dhe fitoren e opozitës. Protesta e djeshme faktoi se sot ne jemi më shumë si opozitë e vërtetë se kurrë.

Protesta e djeshme faktoi se sot ne jemi shumica politike e Shqipërisë, por jo vetëm kaq, por edhe shumica numerike e saj. Me admirimin më të madh për qëndresën tuaj qytetare, dua të them se sot ne jemi diçka edhe më shumë se shumica numerike e shqiptarëve.

Sepse ditën e djeshme me masivitetin tuaj, me vendosmërinë tuaj, me fjalët tuaj shkruajtët në shesh një fjalë, të cilën shqiptarët e kishin harruar. Shkruajtët fjalën shpresë. Shpresa është arritja më e rëndësishme e ditës së djeshme.

SHKARKO APP