Berisha: Gjiknuri kontratë abuzive me serbët për energjinë
Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot një aferë korruptive, sipas tij, për një tender mes KESH dhe kompanisë serbe EFT për të menaxhuar kaskadën e Drinit.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Berisha theksoi se për tenderin korruptiv nuk është bërë asgjë publike, ndërsa pas kësaj fshihet ‘hajduti me fytyrë njeriu’ Damian Gjiknuri.
“Një aferë korrutive e realizuar me urdhër direkt të Ramës, nga hajduti me fytyrë njeri, Damian Gjiknuri. Ju lutem ndiqeni, më datën 30/06/2016, KESH, sipërmarrja që ka Agron Hetoja hap tenderin me subjekt shprehje interesit për marrëveshje në kuadër të energjisë elektrike. Një tender që mbahet në sekret të plot, pa shpallur zyrtare dhe pa ftesa për kompanitë e tregut, por thjesht publikuar në arkivin e KESH-sh.a. Nga ky tender lind një kontratë monstruoze korruptive për llogari të Ramës dhe hajdutit me fytyrë njeriu, Damian Gjiknurit. EFT njohet si lugati në rajon. Disa kompania prestigjioze pasi panë njoftimin në internet, vrapuan të merrnin pjesë, por nuk u afruan as fillimit të negociatave. Mbeti vetëm një kompani fitimtarja. Kjo është një kontratë në të cilën nuk ka asgjë të qartë. Sipas kësaj kontrate, kompania EFT merr në menaxhim kaskadën e Drinit. Bëhet fjalë për optimizimin të kaskadës së Drinit për llogari të personave dhe jo të shtetit. Kaskada është pronë publike. Ka dhe teknika të tjera vjedhje sa të duash në këtë kontratë. Kaskada e Drinit tregtohet pa asnjë lloj kushti nga hajduti Damian Gjinkuri.”, tha Berisha.
Ai pohoi ndër të tjera se ndonëse ERE vërejti kontratën abuzive mes KESH dhe kompanisë serbe, Gjiknuri i dërgoi një shkresë kreut të këtij institucioni, duke i bërë të ditur se ky vendim nuk duhej të kthehej, pasi ishte me urdhër të Ramës. “Hajduti me fytyrë njeriu ka dërguar një shkresë ku i thotë kreut të ERE se nuk duhet të anulojë vendimin, pasi është urdhër i Ramës. Kjo është një nga aferat shqiptaro-serbe. Jam këtu për t’i bërë thirrje prokurorisë që të nisë me urgjencë kryesisht hetimin, bazuar në këto dokumente.”, pohoi Berisha.
VENDIMI I ERE QE I REFEROHET BERISHA
E N T I R R E G U L L A T O R I E N E R G J I S Ë
B o r d i
VENDIM
Nr. 131, Datë 15.08.2016
MBI “NDËRPRERJEN E PROCEDURËS SË SHPALLUR NGA SHOQËRIA KESH SH.A “FTESË PËR SHPREHJE INTERESI PËR MARRËVESHJEN KUADËR PËR DEPOZITIMIN E ENERGJISË ELEKTRIKE”
Në mbështetje të nenit 16 të Ligjit nr. 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike, Bordi i ERE-s, në mbledhjen e tij të datës 15.08.2016, mbasi shqyrtoi relacionin e përgatitur nga Drejtoritë Teknike, në lidhje me ndërprerjen e procedurës së shpallur nga shoqëria KESH sh.a “Ftesë për shprehje interesi Marrëveshjen Kuadër për depozitimin e energjisë elektrike”,
Konstatoi se:
- Në faqen zyrtare të KESH sh.a, është publikuar ftesa për shprehje interesi për “Marrëveshjen kuadër për depozitimin e energjisë elektrike”.
- Subjektet GEN-I Tirana sh.p.k, AXPO Trading AG dhe AAES kanë dërguar ankimet e tyre në ERE me shkresat respektive nr. 490/4 Prot., datë 08.07.2016; nr. 490/8 Prot., datë 26.07.2016 dhe nr. 13 Prot., datë 29.06.2016.
- KESH sh.a në datë 20.07.2016 nëpërmjet shkresës Nr. 5960/1 Prot.,i ka bërë me dije subjekteve si me siper se : “Ky produkt i prezantuar nga KESH sh.a. nuk është subjekt i rregullimit nga Rregullat e shitjes, blerjes dhe shkëmbimit të energjisë elektrike të miratuar nga ERE. KESH sh.a. funksionon si një shoqëri tregëtare me kapital 100 % shtetëror bazuar në përcaktimet e ligjit “për tregëtarët dhe shoqëritë tregëtare”.
- I licencuari KESH sh.a është një person juridik i pajisur me licencë në aktivitetin e Prodhimit të energjisë elektrike me Vendimin e Bordit të Komisionerëve të ERE-s, Nr. 23, datë 25.03.2009 i cili zbaton Legjislacionin në fuqi përfshirë dhe detyrimet e shërbimit publik të caktuara në përputhje me ligjin 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” si dhe ushtron aktivitet në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”.
- Është konstatuar se KESH sh.a. nuk ka respektuar dispozitat e Ligjit 43/2015 “Per sektorin e energjise elektrike” i cili parashikon si transaksione tw energjise elektyrike, blerjen, shitjen dhe shkembimin.
- KESH sh.a. nuk ka respektuar parashikimet e “Rregullave dhe procedurave të shkëmbimit të energjisë elektrike”, miratuar me vendimin e Bordit të Komisionerëve të ERE nr 100 datë 27.12.2006.
Për gjithë sa më sipër cituar, Bordi i ERE-s,
Vendosi:
- KESH sh.a. të ndërpresë menjëherë çdo veprim të mëtejshëm për finalizimin procedurës së shpallur “Ftesë për shprehje interesi për Marrëveshjen kuadër për depozitimin e energjisë elektrike”.
- KESH. Sh.a te publikojë ne faqen e tij zyrtare te internetit, njoftimin për ndërprerjen e procedurës ftesë për shprehje interesi për marrëveshjen kuadër për depozitimin e energjisë elektrike.
- Drejtoria Juridike dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit të njoftojë KESH sh.a, Ministrinë e Industrisë dhe Energjisë, Autoritetin e Konkurrencës dhe palët e interesuara për vendimin e Bordit të ERE-s.
KOHA JONË SONDAZH

