Berisha: Greqia do shtrihet tani drejt Kanalit të Otrantos, dhe kjo në sajë të marrëveshjes së fshehtë Rama-Dendias
Lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për çështjen e detit ka reaguar ashpër ish-kryeministri Sali Berisha. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha shprehet se, “Zografi Bis”, siç e quan ai kreun e qeverisë, pasi shiti detin bën të pagdhendurin.
“Zografi Bis pasi shiti detin, bën të pagdhendurin. Miq, pasi shiti në përputhje me marrëveshjen e fshehtë Rama-Dendias, rreth 3000 milje ujëra shqiptare të Detit Jon Greqisë, dhe së bashku me to edhe triliarda euro depozita gazi dhe nafte si dhe hapësirën ajrore korrensponduese të Shqipërisë, Edvin Kristaq tradhtari, apo Zografi Bis vazhdon të bëjë avokatinë e aktit të tradhtisë së tij të lartë kombëtare. Kështu sot duke bërë të pagdhendurin dudumin ai u shpreh:“Vendimet e Greqisë janë keqinterpretuar. Këtu nuk janë miljet e nevojshme për t’u shtrirë 12 milje. Që Greqia të shtrihet 12 milje duhet të vendosë kufirin në Memaliaj. Nuk ka mundësi që as Shqipëria të shtrihet 12 milje dhe as Greqia të shtrihet 12 milje”. Me këtë deklaratë Zografi bis i damkosur për shitje të detit dhe akt të lartë të tradhtisë kombëtare kërkon t’i bindë shqiptarët se 6 është sa apo më e madhe se 12 dhe se 12 është sa apo më e vogël se 6. E vërteta është se në modelin kur Greqia reklamonte 6 milje dhe Shqipëria 12 milje çdo gjë pavarësisht nga distanca midis dy vendeve ndahej në raport 2:1. Pra dy pjesë merrte Shqipëria dhe 1 pjesë merrte Greqia, kurse në modelin kur të dy vendet reklamojnë nga 12 milje çdo gjë midis dy vendeve do të ndahet në raportin 1:1. Kështu në zonen ku gjerësia e distancës ujore midis dy vendeve është 18 milje, ujërat ndaheshin në raport 2:1 dhe Shqipëria do të merrte 12 milje, kurse Greqia merrte 6 milje. Kurse ndarja bazuar në raportin 1:1 nënkupton që në këtë rast nga 18 miljet Shqipëria merr 9 milje dhe Greqia merr 9 milje. Ky është dallimi thelbësor i ndarjes duke përdorur raportin 2:1 dhe raportin 1:1. Nga ana tjetër, Zografi Bis mashtron si tradhtar kur thotë se nuk ka det që Greqia dhe Shqipëria të shtrihen me 12 milje, sepse det ka dhe shumë. Së pari, gjerësia e distancës midis dy vendeve fillon me 26 milje ngushtohet në dy milje në kanalin e Korfuzit dhe zgjerohet përsëri. Por përveç kësaj, qeveria greke ka deklaruar se efekti i 12 miljeve për Greqinë në detin Jon fillon në veri nga Ishulli i Oktanojt, çka do të thotë se Greqia do shtrihet tani drejt Kanalit të Otrantos, dhe kjo e gjitha ne sajë të marrëveshjes së fshehtë Rama – Dendias që përsërit pas 107 vitesh Protokollin e Korfuzit, por jo në tokën, por në detin shqiptar. Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e tradhtisë së lartë kombëtare të Zografit Bis dhe e garantoj se asgjë në botë nuk do ta shpëtojë atë nga ndëshkimi shembullor që kombet e qytetëruara ju kanë rezervuar dhe ju rezervojnë tradhëtarëve të tyre”, deklaron ish-kryeministri Sali Berisha.