Berisha kërkon mbështetjen e diasporës: Mobilizim maksimal për zgjedhjet në 2025, votë për shpëtimin e Shqipërisë

Sali Berisha zhvilloi këtë të hënë një lidhje direkte me shqiptarët e Diasporës në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet edhe Belind Këlliçi, teksa kërkoi mbëhstetjen e tyre për PD-në në zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se në Shqipëri është instaluar mobokracia nga Edi Rama, vendi po zbrazet, opozita ndodhet në kushtë të vështira, ndërsa vendi është në sundimin e bandave më të rrezikshme.

”Sot në Tiranë keni konstatuar se ndërtohen si kërpudha kulla 30, 40, 50 katëshe. Deri tani, investimi i tyre i kalon 4 miliardë euro. Nga këto, vetëm 800 milionë vijnë nga bankat. Të gjitha janë para droge, para të nëndheshme. Ka 56 mijë apartamente bosh. Çmimet janë më të tretat më të lartat pas Mynihut dhe Parisit. Një njeri për të blerë një apartament, duhet të punojë 104 vite. Shqiptarët kanë ikur, të dashur miq. Kurrë në histori në asnjë pushtim të cilitdo lloji qoftë, nuk ka ndodhur që nga viti 2014 gjer në vitin 2022, të braktisin Shqipërinë 34 përqind e shqiptarëve. Shqipëria po zbrazet me Shqipëri, kombi po shkretohet. Proceset elektorale, zgjedhjet, vdesin para se vota të hyjë në kuti. Një makineri gjigante e blerjes së votës e bën procesin zgjedhor një farsë të vërtetë”,-tha Berisha.

Nga ana tjetër, Berisha përsëriti se edhe shpallja ”non-grata” e tij ishte vepër e Ramës dhe Sorosit, për shkak të mbrojtjes së interesit të Kosovës. ”Vendimi i lobuar nga Xhorxh Soros dhe Edi Rama, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, kishte vetëm një synim, asgjësimin e opozitarizmit të vërtetë në Shqipëri. U detyruam të gjithë si demokratë të bëjmë përpjekje të mëdha për të pasur opozitë Shqipëria. Dhe sot Shqipëria ka opozitë, në kushtet më të vështira. Pasi u gjetëm para të papriturës, menduan se e arkivuan Sali Berishën dhe e damkosën me turp, ai u rikthye falë mbështetjes së shqiptarëve. Dhe ky ishte një dështim i madh në atë përpjekje që u bë. Pas kësaj, hapën dosje dhe kujtuan se do blinin heshtjen time, po heshtja ime nuk mund të blihet. Të gjitha projektet nga viti 2013, përveç periudhës së presidentit Trump, madje edhe gjatë asaj periudhe, më falni, të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës me Serbinë, janë projekte të firmosura nga Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Beograd”.

Gjatë fjalës së tij, nuk mungoi as burgosja e deputetit demokrat Ervin Salianji dhe kërkoi nga bashkëatdhetarët që të mbështesin me votë PD-në në zgjedhjet e 2025-ës. ”Ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme. Si një votë për shpëtimin e Shqipërisë, e cila në fakt po rrokulliset, po zbrazet si asnjëherë tjetër në historinë e saj. Por meqë jam këtu tek roli juaj, mundësia juaj është shumë e madhe përsëri. Të rrisni ndjeshmërinë tek ligjvënësit tuaj, të cilët historikisht kanë mbështetur shqiptarët në rrugën e tyre të lirisë për situatën dramatike dhe për ndikimin armiqësor, antidemokratik, antishqiptar të superspekulantit të planetit, Xhorxh Soros. Një mobilizim maksimal për të votuar në vitin 2025 për Shqipërinë”.

SHKARKO APP