Berisha kërkon shfuqizimin e masave ndaj tij, Apeli i shtyn seancën
Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë seancën ndaj Sali Berishës, i cili ka kërkuar shfuqizimin e masave të sigurisë ndaj tij për çështjen “Partizani”.
Ndërsa gjyqtarja Iliriana Olldashi, ka shtyrë seancën ndaj ish-kryeministrit për në orën 14:00. Kujtojmë se SPAK kërkoi përjashtimin e gjyqtares Olldashi nga çështja e Berishës për shkak të konfliktit të interesit.
Ndërsa seanca e sotme ishte planifikuar të zhvillohej sot në orën 09:00.
“Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 24.11.2023, ora 09:00, mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 17.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 442, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konstatimin e humbjes së fuqisë së masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 14:00”, thuhet në njoftimin e gjykatës.