Berisha synon kryebashkiakët, ndërsa Meta të marrë këshilltarët!
(Ky editorial është më i plotë në variantin video)
Nga Daniel Muçaku-
Zbulohet strategjia zgjedhore për vendoret e partisë së Lirisë që drejtohet nga Ilir Meta. Derit tani nuk ishte thënë por një pyetje e bërë nga gazetarët në konferencën e shtypit ka treguar se si do të luajë Ilir Meta dhe mbështetësit e tij.
Kryetari i PL, Ilir Meta i ngacmuar nga një pyetje, e tha atë që po përgatit. Një pyetje publike që po sillet nëpër Tiranë ishte ”A do të mbështesni Ilir Alimehmetin si kandidat për bashkinë e Tiranës?”.
Në fakt ka ditë që po zien kazani në opozitë për tu përfaqësuar nga një figurë jo politike në Bashkinë e kryeqytetit. Emri që po lakohet me shumë është ai i mjekut të njohur, Ilir Alimehmeti, aktualisht zv/dekan i fakultetit të mjeksisë.
Ilir Meta u përgjigj kësaj pyetje nga gazetarët. Ai tha:“Nuk mund të hyj në çështje emrash sepse nuk është përgjegjësi e imja, pra emri, as në Tiranë dhe asgjëkundi. Përgjegjësinë e ka marrë një lider tjetër dhe një forcë politike. Uroj ta zgjidhë këtë gjë sa më shpejtë. Kjo çështje ka përfunduar për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë. Nëse ka ndonjë kandidat nga partia e Lirisë që pretendon se ka aftësinë për të fituar, unë do të angazhohesha me shumë dëshirë. Por objektivi ynë janë këshillat bashkiakë, do ti kthehem parlamenteve lokale. Do të jetë më i rëndësishëm parlamenti i Tiranës sesa ai i 25 prillit. Zëri i qytetarëve të Tiranës do të dëgjohet fuqishëm”.
Këtë tha Ilir Meta, ftohtë dhe prerë.
Pra kur partia e dytë kryesore në opozitë ka si synim vetëm të marrë sa me shumë këshilltarë në cdo bashki, natyrisht që partitë e tjera nuk besohet se do të kërkojnë kandidat të tyre në bashki të veçanta. Por gjithsesi Berisha mund ta lirojë paksa dorën për të krijuar entuziazëm në opozitë, pa harruar partinë e të drejtave të njeriut e cila do të marrë zonë të lirë nga opozita për kandidatët e saj në zgjedhje në dy bashki të minoritetit.
Pra Ilir meta sic pohoi para mediave i ka lenë dorë të lirë Sali Berishës për caktimin e emrave kandidat e ku natyrisht edhe përgjegjsia do ti bjerë doktorit nëse humbet, sikurse krejt lavdia do ti shkojë Berishës po që se fiton në zgjedhjet vendore.
Strategjia e Ilir metës për të marrë vetëm këshilltarë, kryesisht, është një strategji që funksionon aq me tepër duke ditur se në Shqipëri turren të gjithë për të vendosur emrin e tyre si këshilltarë në bashki dhe votat nuk kanë ngjyrë në këtë rast.
Votat politike jepen me shumë për emrin e kryetarit të bashkisë, ndërsa për këshilltarë merr vota ai që ka me tepër fis, njohje, miqësi,etj. Dhe këtu Ilir Meta e ka menduar mirë sepse sido të vijë puna cdo kryebashkiak do të ketë nevojë për numrin e këshilltarëve për të votime të rëndësishme.
Kush ka këshilltarët ka edhe kryetarin në dorë, sipas skemave politike shqiptare tash e 30 vite. Ka patur raste që një votë këshilltari ka prishur balancat politike dhe ka detyruar kryebashkiakë të caktuar ti shkojnë pas këshilltarit për votën.
Nisur nga kjo praktikë dhe traditë shqiptarçe, Partia e Lirisë duhet të marrë shumë vota këshilltarësh të cilat përkthehen edhe si përqindje partie në shkallë vendi. Për një parti të re si partia e Lirisë, e cila ka bazamentin e vjetër të LSI, mund të sigurojë në shumë bashki mazhorancën me njerën nga forca kryesore politike tradicionale.
Pra votat e këshilltarëve do të jenë nesër fuqi politike, por edhe emërime në të gjitha drejtoritë e bashkive.
Loja e Metës u zbulua dhe u tha rastësisht sapo doli emri i mjekut të njohur Ilir Alimehmeti.