Berisha mbron Paktin Detar. Ahmetaj-Berishës: Kush është pala e tretë?
Marrëveshja Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, e firmosur nga dy qeveritë në Tiranë më 27 prill 2009 dhe rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në 15 prill 2010, është rikthyer sërish në vëmendje. Sot nga parlamenti shqiptar, ish-kryeministri Berisha i sugjeroi publikisht Athinës zyrtare të shkojë në Arbitrazh apo në gjykatat e detit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se e dërgoi marrëveshjen e detit në Kushtetuese për llogari dhe para të një pale të tretë.
“Detin në gjykatë e çoi Edi Rama, nuk e çuam ne, e çoi Edi Rama për llogari dhe para të palës së tretë. Unë edhe pse dija çdo gjë për këtë përsëri palës greke i them zotëri qeveria shqiptare është e detyruar të respektojë vendimin e gjykatës. Po të doni shkoni në arbitrazh, në gjykatat e detit, janë dy.”- deklaroi Berisha.
Rikthimi në vëmendje i marrëveshjes së paktit detar me Greqinë, vjen në një kohë kur mes dy vendeve kanë shpërthyer replika lidhur me shembjen e banesave të minoritarëve grekë në Himarë. Pak ditë më parë, Athina zyrtare kërcënoi me bllokim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa kryeministri Rama i kujtoi fqinji jugor se ka ikur koha kur i pasuri i tregon arat të varfrit.
Nw replikw, ministri Arben Ahmetaj iu përgjigj ish-kryeministrit Berisha për paktin detar me Greqinë, duke theksuar se është krenar që firmosi kërkesën për rrëzimin e marrëveshjes në Kushtetuese. Ministri i Financave i kërkoi Berishës që të tregojë se kush është pala e tretë që pretendon se ka patur interes në rrëzimin e paktit detar.
“Unë jam një nga deputetët që kam firmosur për marrëveshjen e detit. Jam krenar që e kam bërë dhe që gjykata e rrëzoi atë marrëveshje. Si ka mundësi të ketë palë të treta. E para dhe mbi të gjitha do duhet të thotë kush është pala e tretë. Të vish të bërtasësh në një ditë si kjo vetëm për të larguar vëmendjen nga një arritje e popullit shqiptar është antikombëtare.”- deklaroi Ahmetaj.
pakti detar berisha
KOHA JONË SONDAZH

