Berisha me pedagogët: Studentët 200 euro çdo muaj. Do heqim mesataren për pranimin në universitete
Sali Berisha vijone dhe këtë mbrëmje takimet, ku këtë herë priti pedagogët në selinë e PD-së. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama pasi sipas tij, u ka dhënë një goditje universiteteve me bordet, të cilat universitetet nuk i kontrollojnë. Berisha ka premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do të heqë mesataren për pranimin në universitete ndërsa shtoi se studentët do marrin 200 euro çdo muaj si minimum jetik.
”Edi Rama u ka dhënë një goditje universiteteve me bordet, të cilat universitetet nuk i kontrollojnë. Shqipëria nuk ka pasur kurrë një kabinet si ky që është sot me një koeficient intelektual inekzistent. Dhe këto kanë tani në këshillin shkencor të shtetit aq përfaqësues sa ç’kanë rektorët. Vjen Lubia me 3 përfaqësues, rektori me 3 përfaqësues. Universitetet shkonfigurohen, humbasin”.
Berisha shtoi edhe se do ta konsiderojnë arsimin si çështjen më serioze të kombit teksa ka shtuar se do të përqëndrohen së pari tek mësuesit dhe pedagogët. ”Të nderuar pedagogë dhe studentë, ne sot jemi në një diktaturë dhe më mirë se ju, askush nuk e ka të qartë se kur pushtetet përqendrohen të gjitha në një dorë, kur kjo dorë e zezë firmos çdo leje ndërtimi që nuk e bënte kurrë kryeministri i diktaturës dhe nuk e bën kurrë sot diktatori i Koresë së Veriut, kur kjo dorë shpallet kryetar i shkencës, kryetar i bordit të ujërave, ky është përqendrimi më total i pushtetit në një dorë.
Kur në një vend zgjedhjet janë farsë dhe vota ekzekutohet para se të hyjë në kuti, vullneti i zgjedhësve kontrollohet me të gjitha format, shteti shndërrohet në një makineri elektorale, kjo është diktaturë, nuk ka gjë të përbashkët me demokracinë. Kur në një vend, shteti shndërrohet në sipërmarrje të përbashkët me krimin, siç është faktuar tashmë në mbi 35 dosje të regjistrimeve të telefonave të koduar, të cilat shkojnë direkt tek Edi Rama, nuk mund të jetë demokraci, por kjo është diktaturë. Dhe kjo diktaturë shtron para nesh detyrimin për t’u përballur me të me mosbindje civile”.