Berisha me pensionistët në Elbasan: Rroga mesatare do jetë 1200 euro
Sali Berisha ka zbritur në terren pas daljes nga izolimi në banesë. Ai është takuar me pensionistët e Elbasanit, dhe ka akuzuar qeverinë ”Rama 3” për mungesën e rritjes së pensioneve. Për të mbështetur kërkesën e PD për rritje pensionesh zoti Berisha solli disa shifra krahasuese të pensioneve në rajon.
”Çfarë ka Mali i Zi që një pensionist të marrë sa 3 pensionistë këtu? 270 përqind më shumë merr pensionisti serb. Të gjithë në vitin 2013 merrnin më pak se ju. 280 përqind më shumë merr pensionisti në Maqedoni. Albin Kurti u tha pensionistëve para 1 muaji, do ua rris 20 përqind. Mori 100 milionë euro dhe i çoi në fondin e pensioneve. Po ne me 8 miliardë buxhetin, për 780 mijë pensionistëve, po çfarë pëson shteti nëse merr 800 milionë dhe i çon në fondin e pensioneve? Si i sheh këta njerëz ai? Çfarë i konsideron ai këta? Njerëz që flasin me vete se nuk mbyllin dot muajin. Ky është krim, krim i rëndë”,-tha Berisha.
Po ashtu ish-kryeministri premtoi se minimumi jetik për çdo shqiptar do të 200 euro, ku edhe foli për rrogën minimale dhe mesatare. ”Rrogën minimale 500 euro si fillim, rrogën mesatare 1200 euro. Nuk mundet kurrë që pensionisti të paguajë energjinë elektrike me të njëjtin çmim që paguan rrogëmesmi dhe rrogëlarti. Sot çdo pensionist paguan energjinë njësoj si ata që marrin 7 mijë euro në shtet”.