Berisha merr vulën, por PS i tregon vendimin e GJKKO
Prej 6 muajsh nuk ka shkelur në sallën e Kuvendit, por Sali Berisha u bë kryefjalë e debatit në seancë plenare, edhe këtë të mërkurë. Pa nisur ende mirë punimet, demokratët ngritën zërin duke kërkuar që të njoftohet përfshirja e Berishës si anëtar i grupit parlamentar të PD-së, sidomos pas vendimit të Apelit që e njohu edhe “de jure” si drejtues të kësaj force politike.
Sali Berisha ka shkelur për herë të fundit në Parlament më 21 dhjetor 2023. Kushtetuta në vetvete ka një klauzolë të qartë, se mandati ndërpritet nëse deputeti mungon gjashtë muaj pa arsye. Por a konsiderohet mungesa e Berishës pa arsye?
Përgjigjen e kësaj pyetje nuk di ta japë as vetë Kuvendi i Shqipërisë, që llogarit edhe ditët e punës së deputetëve. “Kuvendi ju ka informuar se nëse do të plotësohen kushtet e përcaktuara në nenin71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për mbarimin e mandatit të deputetit, do të shprehet publikisht. Pyetjet qe ju na keni drejtuar janë çështje interpretimi. Kur të kemi interpretimin dhe konkluzionet nga shërbimet përkatëse, do të bëhen publike”.
Për t’i ndërprerë mandatin një deputeti i duhen matur mungesat në 6 muaj, dhe një gjë të tillë Kuvendit e ka bërë duke i ndërprerë pagat që nga data 1 janar 2024, por zyrtarisht nuk pranon të shprehet për këtë çështje. Kush do ta interpretojë Kushtetutën në rastin e Sali Berishës meqë vetë Kuvendi nuk di ta bëjë?