Berisha: Ramën ta rrëzojmë me forcë. Basha: Nuk dua pushtet me dhunë
Ish kryeministri Sali Berisha e sheh të vështirë marrjen e pushtetit përmes votës pasi sipas tij derisa në krye të qeverisë të qëndrojë kryeministri Rama, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në një intervistë për Tvklan, Berisha u shpreh se e vetmja mënyrë për të rrëzuar Ramën është revolta popullore, që shqiptarët të bëhen bashkë dhe të rrëzojnë me revoltë kryeministrin.
“Duhet përmbysje popullore me një revoltë popullore. Nuk mund t’i kundërvihem një qeverie teknike që ta çojë vendin në zgjedhje, por sërish kjo më duket një ide utopike.”-tha Berisha. Por ish-lideri duket i vendosur dhe kjo duket se do të jetë linja zyrtare e PD-së: Në asnjë mënyrë në zgjedhje me Ramën si kryeministër.
“Rekordet e mashtrimeve e trillimeve të kallam dështakut janë të pafundme. S’ka kurrë shans që të ndajnë pushtetin PD me Edi Ramën. PD është e vendosur të vijë me votën e lirë të qytetarëve dhe ky është themeli i kësaj partie. Unë deklaroj nga ana tjetër se në mënyrë absolute nuk ka votë të lirë pa përmbysjen e Edi Ramës”-shtoi Berisha.
Në fund të intervistës Berisha tha për një plan “B”. Ai deklaroi tekstualisht: “Plani B është përmbysja me forcë e tij, nëse shqiptarët nuk e rrëzojnë! Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veçse përmbysjes me forcë!”.
Por rreth 1 orë pas kësaj deklarate, kreu i PD-së Lulzim Basha, partisë më të madhe në opozitë, tha në emisionin “Opinion” se “vetëm populli ka të drejtë ta rrëzojë një qeveri me të gjitha mjetet dhe jo një parti politike”.
Basha shkon edhe më tej duke deklaruar se nuk ka nevojë për dhunë për të larguar një qeveri.
“Për mendimin tim nuk ka nevojë për dhunë nëse 10 mijë, 20 mijë, apo 30 mijë qytetarë që mblidhen në mënyrë të përsëritur. Atëherë edhe kjo qeveri ikën. Nëse krijohet konsensusi qytetar që largimi i këtij është një domosdoshmëri ata e bëjnë. Ne kemi një detyrë që t’i bindim se nuk do ikë një Ramë dhe të vijë një Ramë tjetër. Ne po përgatitemi për të fituar zgjedhjet lokale” – tha Basha. Pra Lulzim Basha pranoi se do të futet në zgjedhjet lokale, ndryshe nga Berisha që deklaron se nuk mund të shkohet në zgjedhje me Edi Ramën si kryeministër.