Berisha në protestë: Dimër i ashpër për argatin në Tiranë. Tërhiqemi kur të votohet qeveria teknike
Sali Berisha i është bashkuar mosbindjes civile. Për herë të parë pas lirimit nga ”arresti shtëpiak” pas 11 muajve, kreu i PD-së doli nga selia blu dhe iu bashkua protestës në rrugën e Elbasanit. ”Është një revoltë e qytetarëve kundër narko-diktatorit. Është një dimër i vështirë si për argatin e Tiranës ashtu edhe padronin e Beogradit. Në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin, edhe në Tiranë, argati nuk ka të ardhme”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, ai përshëndeti qytetarët e Tiranës dhe i siguroi se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë. ”Nuk do të ndalojmë deri sa të realizojmë objektivat tona: Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse kryeministri Edi Rama nuk pranon kërkesat e opozitës, Berisha tha se ai do të rrëzohet. ”Do të rrëzohet me mosbindjen civile. Kemi aplikuar 15 forma të mosbindjes civile. Këta do të përfundojnë shumë keq”, tha kreu i PD-së.
Prej orës 17:00 edhe zona e Pallatit me Shigjeta, ku janë vendosur përfaqësues të PD-së, është bllokuar plotësisht. Efektivët po monitorojnë situatën, e cila mbetet e qetë. Ndërkohë ka automjete të shumta të bllokuara në të dyja krahët e rrugëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është një nga përfaqësuesit më të zëshëm sot. Ai është vendosur në sheshin “Wilson” ku ka kërkuar nga policia që të mos pengohen për të ushtruar të drejtën e tyre për tubim. Por për shkak të dinamikës që kanë protestat, kërkohet të jesh i informuar gjithë kohës.
Protestuesit janë shpërndarë te rrethrrotullimi i Zogut të Zi, Pallati me Shigjeta, te Bashkia e Tiranës, Rruga e Elbasanit (pranë Xhamisë së Namazgjasë) dhe Sheshi Wilson. E njëjta “strategji” u ndoq edhe në protestën e fundit më 26 Tetor e cila zgjati 3 orë.