Berisha për zgjedhjet lokale: Më të rrënuarat në historinë e Shqipërisë!
Ish-kryeministri Sali Berisha ka përsëritur akuzat e tij ndaj mazhorancës këtë të Martë për manipulim të procesit zgjedhor.
“Si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe Europës po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast unë vlerësoj raportin e OSBE ODIHR-it, të autoriteteve lokale rajone dhe deklaratën e Parlamentit Europian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.”
Në një deklaratë për mediat, Berisha vuri theksin dhe te raporti paraprak për 14 majin nga OSBE ODIHR-i, duke e cilësuar mëse të drejtë.
“Raporti paraprak ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të zgjedhjeve duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presione të tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit”, ka thënë Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

