Berisha: Presidenti po përpiqet in ekstremis ta çojë vendimmarrjen te qytetarët

Ish-kryeministri Sali Berisha pranon se opozita është një “spektator” në përballjen mes Presidentit dhe mazhoranës.

I ftuar në emisionin “360 Gradë” në RTV Ora, Berisha thotë se presidenti nuk ka një kauzë për opozitën, por po përpiqet in ekstremis ta çojë vendimmarrjen te qytetarët duke parë se gjithë pushtetet janë përqëndruar në duart e një njeriu të lidhur kokë e këmbë me krimin, duke ju referuar këtu kryeministrit Rama.

Është një përceptim që bazohet në një realitet, i kushtëzuar. Presidenti i Republikës nuk ka një kauzë të veçantë për opozitën, ka si kauzë të veçantë të shpëtojë çfarë të jetë e mundur nga kthetrat e narkoshtetit nga ai që mund të quhet shtet ligjor apo shtet shqiptar. 

Presidenti po përpiqet in ekstremis ta çojë vendimmarrjen te qytetarët duke parë se gjithë pushtetet janë përqëndruar në duart e një njeriu që është nga gishtërinjtë e këmbës te kupa e kokës i lidhur me krimin, drogën dhe hajninë. Për të shpëtuar lëkurën e vet se po vjen në fundin e pushtetit, kërkon të kapë ç’të kapë. Është kreu i Meduzës.Kreu i KÇK-së e quajti veten ai.

Presidenti në këto momente kur çdo vendim është në duart e kreut të Meduzës në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet po përpiqet në një betejë tmerrësisht të vështirë ta kalojë vendimmarrjen te qytetarët. Në 28 vite pluralizëm shqiptarëve u është dhënë mundësia vetëm nëj herë të shkojnë në referendum”, shprehet Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha pranoi se nuk do të jetë prezent në thirrjen për referendum që ka bërë Presidenti Ilir Meta në datë 8 dhjetor, në sheshin ‘Demokracia’, në qytetin Studenti. Berisha tha se atje do të marrin pjesë qytetarët, por u shpreh pro këtij referendumi.

Sali Berisha: Do të binte ndesh nëqoftëse Presidenti do kërkonte mbështetjen e opozitës. Ai do t’i humbiste palët.

Beti Njuma: Nuk do ta ketë mbështetjen e opozitës, nuk do të shkoni ju në 8 dhjetor në Qytetin Studenti?

Sali Berisha: Në mitingun e tij, jo, nuk shkoj. Ai ka ftuar popullin atje. Unë do të ndjek programin Partisë Demokratike dhe të kuptohet.

Beti Njuma: Nuk e ka mbështetjen e PD-së protesta e Presidentit në 8 dhjetor?

Sali Berisha: Presidenti as që pretendon dhe as që kërkon, me aq sa e dëgjova unë dhe sa kuptova unë, mbështetjen e asnjë force politike. Ai mendon se thirrja e tij, në interesin më të mirë të qytetarëve, që t’i përgjigjen, që tu japë atyre të drejtë në vendimmarrje siç e ka Zvicra. Në Zvicër është populli direkt që vendos në shumicën dërrmuese të çështjeve. Ai e sheh që në një moment kur një njeri ka përqendruar të gjithë pushtetet, kjo histori mund të përsëritet dhe do që të gjithë pushtetet në kuptimin e vendimmarrjes ligjore t’i kalojnë në rradhë të parë qytetarëve.

SHKARKO APP