Berisha prezanton kandidatët në Elbasan: Më 11 maj merr fund dimri 12-vjeçar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të PD – Aleancës për Shqipërinë Madhështore në Elbasan, në zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se këto zgjedhje do të shënojnë një moment të rëndësishëm për Shqipërinë duke i dhënë fund sipas tij dimrit 12-vjeçar.
“Rikthehem sërish në këtë qytet për të dhënë mesazhin se këtë vit Elbasani dhe mbarë Shqipëria do të kenë një Ditë të dytë Vere dhe kjo do jetë 11 maji. 11 maji do të jetë dita e përfundimit të dimrit më të gjatë 12-vjeçar që përjetuan shqiptarët. 11 maji do jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë”, tha Berisha.
Ne vijmë këtu me këtë ekip kandidatësh, vijoi Berisha, që ju kanë shërbyer në të gjitha fushat.
“Dhe fjala ime e nderit është se ky ekip, deputetë në parlamentin shqiptar, është garanti më i fuqishëm për të bërë realitet programin e Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore pikë për pikë”, tha ai.
Më tej ai deklaroi se, qyteti nuk do të jetë më i mafias.
“Deputetët e krahut tjetër politik janë përzierje Ndragheta-Çela. Janë pra kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies. Qytetarë të Elbasanit, ja ku jap fjalën e nderit, se bandat kudo ku janë, do shkojnë aty ku e kanë vendin”, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
/r.e/ ATSH