Berisha: Rama s’do ta kapë kurrë drejtësinë, revolucion qytetar
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama për procesin e reformës në drejtësi, duke thënë se ka dashur që ta përjashtonte opozitën.
Duke folur në Parlament, Berisha tha se kanë qenë dy drafte të mazhorancës, të hartuara nga Fatmir Xhafaj, që u kthyen pas nga Komisioni i Venecias.
Ka qenë opozita, u shpreh ish-Kryeministri Sali Berisha, që shpëtoi këtë reformë, pasi drafti i mazhorancës ishte kapja e sistemit të drejtësisë.
“Sot dhe cdo ditë opinioni publik është gozhduar tek kjo reformë. Shqiptarët po shohin cdo ditë forcat regresiste. Ky skenat ogurzi ishte shkaku i përjashtimit të opozitës, në një kohë kur opozita ofronte pjesëmarrjen e saj, ishte Kryeministri ai që refuzonte në mënyrë kategorike dhe u thoshte të huajve se fjala konsensus në fjalorin e shqiptarëve nuk ekziston.
Opozita shpëtoi reformën. Opozita e kuptoi se Edi Rama me reforën nënkupton kthetrat e tij të zeza mbi drejtësinë. Drafti që përgatiti bashkëkryetari i partisë komuniste të Drejtësisë Fatmir Xhahaj, shkoi në Venecia dhe Venecia e hodhi poshtë në 38 nene.
Këta janë shakaxhinjtë e reformës. U kthyen vendimet e Venecias. E drejta kaloi në anën e opozitës, po këta s’dinë ç’është e drejta”,- u shpreh ish-Kryeministri Sali Berisha.
Berisha i bëri të qartë mazhorancës se opozita nuk do ta lejojë kurrë që të kapë reformën në drejtësi. Ish-Kryeministri u shpreh se opozita është gati ta votojë që nesër reformën në drejtësi nëse mazhoranca pranon nenin 88.
Ai bëri thirrje gjithashtu për një revolucion popullor demokratik për të larguar nga pushteti Kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzon si analfabet në ekonomi dhe që nuk ka tërhequr investime të huaja.
“Nuk jam që këtë proces ta bëjnë të huajt. Të huajt të na vëzhgojnë, jam dakord. Këtë proces ta bëjnë shqiptarë. E doni reformën, hajde sillen këtu ta bëjmë sipas nenit 88 edhe ta votojmë që nesër.
Doni ta fusni në dorë drejtësinë? Kjo s’do të ndodhë kurrë! Venecia bën ligje, qeveria e të gjithë qeverive. U bëj thirrje shqiptarëve për një revolucion të vërtetë demokratik ti japë fund Kryeministrit më analfabet që ka patur historia e Shqipërisë në 104 vite të historisë së saj”,- u shpreh Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

