Berisha- Ramës: Basha të palosi në 2011-n, tre jetë të kesh se arrin dot
Si çdo të enjte, Sali Berisha ka mbajtur një fjalim të gjatë në Kuvend. Këtë radhë ai ka marrë në mbrojtje Lulzim Bashën. Berisha tha se Basha ka bërë shumë gjëra për këtë vend, që sipas tij, Rama s’ka shanse t’i bëjë edhe nëse do të kishte tre jetë.
Sali Berisha ka mbajtur një fjalim të gjatë në Kuvend. Ai ka mbrojtur aty Lulzim Bashën, duke e krahësuar me Ramën.
“Dhe tre jetë të kesh ti nuk i bën dot ato që ka bërë Lulzim Basha. Në fund të fundit të ka palosur në 2011. Po pse për opozitën shkon në fushata te qytetare? Po je kryeministër ore shkon për qytetarët. Se i kujton budallenj, ata janë më të mençurit se të gjithë ministrat këtu. Po për Bashën, ishte ministër thotë ça ka bërë? Ka qenë ministër i Punëve Publike ishte promotor jetik për Rrugën e Kombit mësoje. Ishte ministër i Jashtëm, ishte promotor i anëtarësimit në NATO.
Ishte ministër i Punëve të Brendshme bëri vizat, në një kohë kur ti nuk ke shitur as tre tablo të tuat, kur zhduke sipërfaqet e gjelbërta të kryeqytetit”, tha Berisha.
Sipas Berishës, kjo mazhorancë s’ka bërë asnjë rrugë dhe shumica e tyre kanë nisur në kohën kur qeveriste ai. “Nuk keni shtruar rrugë se bleni palma, o palmaxhinj. Mos qeshni se është për të qarë se shkon palma 6 mijë euro në një kohë kur pronari e shet 400 euro.
Se aty dalin para më shumë. Si mor nuk keni një projekt të filluar dhe të përfunduar? Shkon e thua do ndërtojmë rrugën Korçë-Qafë Plloc. Po kush e filloi këtë rrugë more zotëri, e filluam ne. Rrugën e Arbërit a e gjetët në sirtar kontratën me kinezin”, tha Berisha.