Berisha: Rritja e çmimit të energjisë me 71%. Qytetarë, dilini zot vetes
Sipas tij, Rama kërkon të mbulojë rritjen e çmimit të energjisë me 71%, me anë të kërcënimeve policore.
Sipas Berishës, qytetarët tashmë duhet t’i dalin zot vetes.
“Të dashur miq, pasi dënoi çdo qytetar me 1.1 milione lekë për shkak të tërheqjes nga arbitrazhi për çështjet me CEZ, për të cilat avokati ndërkombëtar garantonte fitoren, dhe pasi rilindi faturën aforfe dhe dyfishoi në një vit humbjet dhe vjedhjet e energjisë, Rama mblodhi sot kongresin kombëtar policor për energjinë.
Në këtë kongres, tipik për shtetin policor, Rama dhe dështakët e tij me kërcënime për qytetarët, me policë, hekura, arrestime e burgime, menduan të mbulojne rritjen me 71% të çmimit të energjisë sipas vet ERE për 2.1 milione qytetarë.
Kjo rritje rrënuese për familjet shqiptare vjen për shkak të marrëveshjes së tyre korruptive me CEZ, të vjedhjeve të tyre të mëdha me importin e energjisë, si dhe për shkak të vjedhjeve në menaxhimin e ndërmarrjeve energjitike nga drejtues të tyre që janë dënuar më parë me burg për vjedhje, korrupsion apo trafiqe. Këto vjedhje kanë sjellë dyfishimin e humbjeve krahasuar me një vit më parë.
Qytetare, çmimi i energjisë, të cilin në 5 vjet me radhë nuk e rritëm, këtë vit dhe në vazhdim, sipas programeve të ERE, duhet të ulej, pasi ai është më i lartë se shumica e vendeve të rajonit.
Me rritjen e re të çmimit të energjisë ky çmim në terma realë bëhet 50 – 200% më i lartë në Shqipëri sesa në të gjitha vendet e kontinentit, ndërkohë që kostoja e prodhimi i saj është më e ulta në Europë.
Qytetarë, ju ftoj t’u dilni zot dhe të mbroni interesat tuaja”, shkruan Berisha