Berisha: Sot më shumë se kurrë duhet të zotohemi për mosbindjen civile
Edhe këtë mbrëmje, Sali Berisha nga dritarja e banesës ku ndodhet në arrest shtëpia, ka ripërsëritur se duhet vijuar beteja me mosbindje civile.
”Ne jemi njerëz të kauzave të drejta dhe kauza e drejtë nuk mund të humbasë kurrë. Çdo kauzë e drejtë e humbur është humbje e tmerrshme për luftëtarët e të vërtetave dhe ata nuk mund të jenë kurrë luftëtarë të kauzave të humbura.
Prandaj dhe sot, më shumë se kurrë, duhet të zotohemi të vazhdojmë betejën me mosbindje civile. Miqtë e mi, dje ne nderuam së bashku një ngjarje të madhe, betejën e guximtarëve, trimave të Kavajës në stadiumin e tyre 34 vite më parë.
Por ju rikujtoj këtu sot se ata guximtarë të vërtetë, 34 vite më parë, u ngritën në stadiumin e tyre me thirrjet: o sot, o kurrë! Ndaj dhe ne, le të përsërisim veten sot, le t’i përsërisim çdo shqiptari, çdo miku, çdo qytetari, çdo fermeri, çdo të riu, çdo studenti, çdo pensionisti: o sot, o kurrë për shpëtimin e Shqipërisë. Rroftë Shqipëria, rrofshi ju. Fitore, fitore, fitore”, u shpreh Berisha.