Berisha: Të ftojmë Komisionin e Venecias dhe të rindërtojmë sistemin e drejtësisë që u shkatërrua për interesa korruptive

Berisha: Të ftojmë Komisionin e Venecias dhe të rindërtojmë sistemin e drejtësisë që u shkatërrua për interesa korruptive. Ndërkombëtarët të mos mbrojnë modelin e dështuar

FJALA E PLOTE:

Qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë, një përshëndetje të përzemërt ju, oratorëve të kësaj platforme lirie, të këtij parlamenti lirie.

Mirënjohje të pakufishme për qëndresën tuaj.

Të dashur miq, kjo javë ishte një javë e errët, e zezë për parlamentin shqiptar.

Këtë javë, parlamenti vendosi të ngrejë komisionin Xhafa kundër korrupsionit.

Hipokrizia më e madhe e kohërave ngjet me ministrinë e virtytit të talebanëve të Afganistanit.

Miqtë e mi, beteja kundër korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve është betejë për ekzistencën e kombit.

Në kushtet kur Shqipëria, çdo kryeministër që ndjehej i pazhytur, i papërlyer, akti i parë që bënte komisionin kundër korrupsionit ia dorëzonte opozitës.

Ta kryesonte opozita, të vendoste opozita.

Kush e bën korrupsionin?

Korrupsionin e bëjnë ata që kanë pushtetin. E bëjnë qeveritarët dhe zyrtarët.

Po cila opozitë e kam fjalën?

Të dashur miq, në historinë e këtij vendi, beteja e PD kundër korrupsionit do të mbetet një nga betejat më të suksesshme në historinë e një vendi.

Më lejoni të rikujtoj pasi harresa është normale.

Me ardhjen në pushtet në vitin 2005, PD ndërmori një betejë me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.

Kjo parti amendoi ligjin e konfliktit të interesit, ligjin i cili nuk lejonte më kurrë që pushtetarët të ndanin pasuritë publike me familjarët, me njëri-tjetrin, me rrethin e tyre.

PD nxori administratën jashtë konfliktit të interesit.

Vendosi sistemin dixhital të prokurimeve. Vetëm nga ky sistem u ul me 40 përqind kostoja e prokurimeve publike.

Miqtë e mi, gjërat janë harruar.

Por natyrisht janë këto arritje, të cilat na bëjnë ne të vendosur, besimplotë për t’i dhënë korrupsionit goditjen më fatale.

Të dashur miq, lexoni pak raportin e Transparency International të vitit 2008. Çfarë thotë ky raport?

Ky raport thotë: Shqipëria u rendit në garën botërore të luftës kundër korrupsionit.

Ky raport thotë se Shqipëria u rendit në dhjetë vendet e para në botë për suksesin e luftës kundër korrupsionit.

Ky raport thotë se Shqipëria në turravrap la mbrapa nga pozicioni i saj 43 vende dhe në rang botëror 85 vende për treguesin e korrupsionit.

Miqtë e mi, beteja kundër korrupsionit ishte beteja e jetës së Sali Berishës dhe qeverisë së tij.

Me këtë betejë, ne arritëm të dyfishojmë të ardhurat. Të dyfishojmë rrogat. Të dyfishojmë

pensionet.

Në këtë betejë, ne arritëm të ndajmë epokat. Shqipëria kaloi në vitin 2008 nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në të cilin kishte lënguar dekada dhe shekuj, e nxorëm në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Në këtë betejë brenda dy viteve, 2008-2009, u ndëshkuan 630 zyrtarë për veprën e korrupsionit.

Gërshëra e ligjit ishte e pamëshirë.

Më thoni pak sot vetëm familja e Surrelit, vetëm rrethi familjar i Surrelit ka fituar qindra e qindra tendera të ndaluara me ligj për të.

Në këtë shembull dhe këtë frymë, zyrtarët vendorë dhe qëndrorë, u dhurojnë tendera familjarëve.

Vetëm në pak kohë, Harabelja, Velica e Harabelit të Erion Veliajt ka fituar 7 tendera.

Midis të tjerave edhe nga Gonxhja e korrupsionit, që është një nga kalbësirat më të mëdha të vjedhjeve në Shqipëri.

Në dy vite janë dënuar gjithsej për krim të organizuar dhe korrupsion, 199 persona.

Ndërkohë që në dy vite të asaj qeverisje, vetëm për korrupsion u dënuan 630 persona.

Pse? Sepse vullneti ishte i hekurt dhe jo të kontrolloje dhe të bllokoje.

Ka pasur një departament të antikorrupsionit në kryeministri, ka bërë 200 kallëzime penale në dy vite.

Pra, kjo është trashëgimia jonë, ky është vizioni që ne kemi për zero tolerancë.

Dorëzoja komisionin Edi Rama, dorëzoja opozitës.

Të shohin shqiptarët se kush po e lufton korrupsioni dhe si luftohet korrupsioni.

Po nuk e dorëzon dot se ti je i nxirë, se ti vjedhjen dhe drogën i ke të pandarë, i ke pasionet e shpirtit tënd.

Miqtë e mi, nuk e dorëzon dot sepse gjatë asaj periudhe, aty janë buletinet, mesatarja e përgjithshme e një tenderi ishte 7.7 pjesëmarrës.

Dhe prokurimet publike direkte të ndaluara me ligj.

Kurse sot kjo mesatare është asgjësuar. Ka zbritur në 2.2 pjesëmarrës, ka zbritur në pazar, ka zbritur në parashitje.

Edi Rama, dorëzoja komisionin opozitës që të luftojë opozita korrupsionin me shpatën e transparencës, me ligjin e transparencës.

T’u kthejmë shqiptarëve besimin te mundi i tyre, te djersa e tyre, te Shqipëria.

Nuk e bën ti këtë sepse e di se je adikt për vjedhje. Po ku rri ti pa vjedhur, ku rrinë ministrat e tu pa vjedhur, ku rrinë qeveritarët tu, ku rrinë familjarët e tu pa fituar tendera.

Tani me komisionin Xhafa do të kontrollojë gjer në palcë edhe Skapin dhe gjykatat.

Skapin ai e kontrollon, duhet të jemi realistë, e kontrollon fuqishëm.

E kontrollon se i ka përzgjedhur me kriterin e mercenarizmit, të pengut, të lidhjeve me krimin.

Por tani kërkon ta zgjerojë në të gjitha instancat.

Edi Rama, kurrë ne nuk bëhemi ortakë me ty.

Kurrë ne nuk marrim pjesë!

Kurrë!

Ka ikur koha e opozitës fasadë, tani është koha e opozitës së vërtetë.

Miqtë e mi, sot qytetarët shqiptarë janë të vetmit në Europë dhe në botë, qytetarë të drejtësisë së munguar.

Por u rikujtoj këtu vetëm shifrat zyrtare, ndrikulla e KLGJ-së deklaroi se një çështje civile kërkon për gjykim 14.6 vite.

Pra, nuk ka drejtësi sepse një proces i drejtë kërkon vendimin në kohë.

Ajo drejtësia tjetër kishte standardet e saj, kishte të meta dhe dobësi, por qeveria zbatonte 95 përqind të vendimeve të gjykatave. Qytetarët nuk prisnin krurë as 6, as 8, as 10, as 13 vite për një vendim në gjykatat e tyre.

Prandaj urdhëro, krijove monstrën, shkatërrove sistemin.

Të ftojmë Komisionin e Venecias, jo me diplomatë diletantë, jo me diplomatë me interesa korruptive, të marrim Venecian, t’i themi urdhëroni se si është shkatërruar sistemi, hajt ta rindërtojmë.

Shqiptarët duan drejtësi, shqiptarët meritojnë të drejtën për drejtësi.

Shqiptarët nuk mund të jenë kombi i drejtësisë së mohuar.

Thirrja ime për komunitetin ndërkombëtar është mos mbuloni modelin e dështuar. Se ju emëroheni, vini dhe shkoni, kurse qytetarët e mi mbeten pa drejtësi për shkak të faqeziut Edi Rama, i marrë peng nga të gjitha anët.

Nuk them, eksperimenti juaj dështoi se u ngrit mbi korrupsionin.

A e dini ju se Vllahica ishte ambasadorja më e korruptuar që ka shkelur në këtë vend.

Hajde tani të thërrasim Komisionin e Venecias, janë juristët më të shquar të Europës, kanë eksperiencën më të mirë në Europë, të ulemi dhe t’u japim shqiptarëve drejtësinë e mohuar.

Të gëzojnë të drejtat si qytetarët e tjerë.

Mos u tallni.

Koha fton çdo shqiptar të marrim në dorë fatin tonë.

Miqtë e mi, këto kisha unë për komisionet.

Jemi dhe do të jemi gjithnjë për luftën kundër korrupsionit, po jo për gjethe fiku dhe fasadën e Fatmir Fatziut.

Jemi dhe do jemi që shqiptarët të kenë drejtësi, të gëzojnë drejtësi si kombet e tjera.

Por jo kontrollin nga Edi Rama dhe Fatziu siç duan ta vendosin edhe më keq ata.

Miqtë e mi, gjithashtu do ta mbyll këtë fjalë me lutjen time dhe urimin tim që avokati Mëngjesi të bëhet më mirë.

Ai është një hero i të vërtetës, një hero i të vërtetave.

Atyre që thonë se nuk ka lidhje me Edi Ramën, po me kë lidhen mo? Më kë lidhen të vërtetat që mbron ai përveçse me Edi Ramën.

Me cilin?

Ndaj dhe e mbyll duke i deklaruar Edi Ramës dhe Taulant Ballës se atentati ndaj tij është dhe do mbetet përjetë përgjegjësi personale e juaja.

Se kriminelët e vërtetë jeni ju.

Se banda është organizuar nga ju.

Dhe nuk ka avokat në botë që mund të fshehë këtë të vërtetë.

Edhe njëherë, përshëndetjet më të përzemërta.

 

SHKARKO APP