Berisha tregon pse turizmi është kthyer në mallkim për shqiptarët: Çdo qytetar ka përfituar veç 4 euro
Sali Berisha e konsideroi turizimin si pasurinë përrallore turistike, por që për shqiptarët është kthyer në një mallkim të vërtetë. Nga dritarja e banesës ku qëndron që prej 30 dhjetorit 2023, Berisha tha se nuk di asnjë vend tjetër që mund të krahasohet me Shqipërinë, nuk di ndonjë vend tjetër, brigjet e të cilit të jenë krahasuar si Maldivet e Europës, Alpet e të cilit të jenë quajtur si Himalajat e Europës.
“Statistikat e narkoqeverisë së Edi Ramës thonë se në 109 mijë shtretër turistikë të Shqipërisë, u regjistruan gjithsejë 6 milionë netë fjetje. Pra, me këtë llogari i bie se çdo turist fjeti në Shqipëri dy orë më shumë se gjysëm nate, apo një orë më shumë se gjysëm nate.
Nga 10 milionë, janë 6 milionë netë. Më falni, nuk po shkoj larg unë, as në Spanjë, as në Itali, Francë apo ndonjë vend tjetër, por po ndalem këtu në Mal të Zi, 100 e ca kilometra që këtu. Ky vend, vitin e kaluar ka regjistruar 2.6 milionë të ardhur në Malin e Zi. Dhe ka regjistruar 16.3 milionë net fjetje. Pra, turisti në Malin e Zi, 180 kilometra nga Tirana, ka regjistruar me 2.6 milionë, 16.3 milionë net, apo 6.2 net për turist. Ka regjistuar pra miqtë e mi, fiks mbi 10-fishin e netëve për turist të Shqipërisë. Pra, qytetari i Malit të Zi, ka përfituar nga taksat e këtyre net fjetje, 10 herë më shumë se qytetari i Shqipërisë. 10 herë më shumë, por unë po i marr të dhënat siç janë.
Ku kanë shkuar këto? Që të gjitha këto 10 herë më pak për shqiptarët atëherë, kanë shkuar në kontot bankare të klientelës së Edi Ramës, qeveritarëve, por jo në taksa që duhet të ktheheshin në buxhet për arsimin, shëndetësinë, për rrogat, pensionet. Prapë vazhdojmë me këtë analizë, Edi Rama ka shndërruar këtë sektor në një mallkim për qytetarët. Po pse? Në vitin 2022, Ministria e Financave me fatura, konstaton se nga 7.2 milionë turistë, fjetjet e tyre në Shqipëri janë xhiruar 140 milionë euro. Nga të cilat janë paguar si TVSH me 6 përqind, që është TVSH e tyre, 8.5 milionë për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Kanë ndarë pra, nga 7.2 milionë turistë, 8.5 milionë. Po t’i heqim kreditimin e TVSH, i bie 8 milionë. Pra o miqtë e mi, në këtë pasuri përrallore, çdo qytetar i këtij vendi, përveç atyre që janë pronar hotelesh e motelesh, ka përfituar 4 euro. Në qoftë se kemi përfituar gjithsej 8 milionë euro si popull dhe 4 euro për person, kemi shpenzuar nga paratë e buxhetit, nga taksat tuaja, kemi investuar në resortet turistike të klaneve të Edi Ramës, 430 milionë euro në vit”, vijoi Berisha.