Berisha uron SHBA-në për Ditën e Pavarësisë: Ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e kombit shqiptar

Me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kreu i PD Sali Berisha ka përcjellë një urim të veçantë, duke e cilësuar SHBA-në si vendin që ka kontribuar më shumë për lirinë e kombeve në botë, përfshirë edhe kombin shqiptar.
“Së pari, do ta filloj me një urim të përzemërt për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së kombit që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e kombeve tjera në tërësi, dhe lirinë e kombit shqiptar në veçanti. Pra, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, një urim për qytetarët, qeverinë dhe presidentin Donald Trump.
SHBA-të kremtojnë këtë përvjetor pas një fitoreje epike, të jashtëzakonshme, mbi regjimin obskurantist të Ajetollahëve. Fitore me të cilën flamuri i këtij vendi u ngrit përsëri, pas rënies në gjysmështizë në Kabul. Dhe, kjo kishte një vlerë shumë të madhe. Ishte një këputje e nyjës gordiane“, tha Berisha.