Berisha video mesazh nga banesa: Deri në 2013 rruga drejt BE-së e pandalshme. Me Ramën çdo gjë ndaloi

Përmes një video mesazhi nga banesa, Sali Berisha ka uruar qytetarët shqiptarë për 9 Majin, ditën e Europës. Berisha thotë se rruga drejt BE-së deri në vitin 2013 ishte e pandalshme për shkak të reformave të kryera. Por sipas tij, në vitin 2013 erdhi në pushtet Edi Rama, dhe rruga drejt Europës ndaloi për shkak të lidhjeve të qeverisë me krimin, drogën, korrupsionit dhe vjedhjet.

Mesazhi i plotë

Të dashur qytetarë dhe qytetare! Sot është 9 maji, dita e Europës. Këtë ditë, kombet e vendeve e anëtare të Bashkimit Euorpian, kremtojnë ditën e deklaratës Schuman, apo deklaratës me të cilën nisi rrugë ëndrra më magjepse, më madhështore, më e bukur e kombeve evropiane, bashkimi i tyre në një të vetëm. Me 9 maj 1950, Robert Schuman, asokohe ministër i Jashtëm i Francës, në deklaratën e tij propozoi krijimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut, moment themelues ky i Bashkimit Europian, i projektit Europian.

Në vite e dhjetëra vjeçarë që pasuan, ëndrra që nisi me 9 maj 1950 u shndërrua në mrekullinë më të madhe që Europa ka njohur në historinë e saj. Ky projekt pajtoi Francën dhe Gjermaninë. Garantoi për popujt e Europës, paqen më të qëndrueshme, demokracinë më vibrante, liritë dhe të drejtat njerëzore të qytetarëve të vendeve anëtare më të garantuara se kurrë më parë, begatimin në rritje të tyre dhe solidaritetin më të paparë ndërmjet këtyre kombeve.

Rruga e Shqipërisë drejt projektit Europian nuk ka qenë dhe nuk është një rrugë e lehtë, por ajo është një rrugë që padyshim çon drejt të ardhmes më të mirë për shqiptarët. Gjer në vitin 2013 kjo ishte një rrugë e pandalshme. Shqipëria në vitin 2006 firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e ratifikoi atë në 27 vendet anëtarë te BE-së.

Pas kësaj Shqipëria dorëzoi kërkesën për anëtarësimin në BE, arriti të liberalizojë vizat dhe plotësoi defakto të gjitha kushtet për statusin e vendit kandidat, status që u blloku 2 vite nga Edi Rama për votimin e tre ligjeve për të cilat kishte ujdi të plotë, dhe këshilltarët e Fierit, por status që u vendos menjëherë pas zgjedhjeve të 2013.

Por me ardhjen e sektit, apo Edi Ramës dhe rilindësve të tij në pushtet, çdo ditë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë, u ngritën, u trashën, u lartësuan muret e tmerrshme të korrupsionit, drogës e krimit të organizuar. Dhunimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, procesi zgjedhor dhe një seri problemesh të tjera. Të gjitha këto detyruan BE-në të shtyjnë jo njëherë hapjen e paralajmëruara të negociatave për Shqipërinë, por ta shtyjnë nga viti 2016 në vitin 2021, 5 herë.

Përveç kësaj dhe pasi u mor vendimi në parim për hapjen e negociatave me Shqipërinë, për të kaluar tek vendimi për hapjen me kapituj të negociatave që është hapja reale e negociatave, Shqipërisë ju shty tre herë kjo datë. Sot Shqipëria ngjason me njeriun që pasi hap derën, ja zënë kokën me derë, sepse ai ka bërë mbrapshti të mëdha dhe kanë frikë ta pranojnë brenda në shtëpi. Kanë frikë sepse Bashkimi Europian është klubi i kombeve të lira, i njerëzve që votojnë të lirë, dhe jo i vendeve moniste, të klikave moniste, të cilat bllokojnë rotacionin me mekanizmin e shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim.

Kanë frikë sepse Shqipëria është vendi kampion i dhunimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, i grabitjes së votës së lirë, i arrestimit të udhëheqësve politik të partive opozitare vetëm e vetëm për motive politike. Kanë frikë sepse monizmi shqiptar është i bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen, drogën. Ata i druhen një vrime të zezë të fondeve të tyre me pranimin e Shqipërisë në gjirin e saj. Bashkimi Europian është klubi i kombeve që prosperojnë nga viti në vit, që begatohen nga viti në vit.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë në të cilin qytetarët varfërohen nga viti në vit. Në vitin 2013 ata ishin qytetarët me votat më të larta në Rajon. Sot për shkak të vjedhjes së papërmbajtur të fondeve publike dhe pasurive natyrore të Shqipërisë nga pushteti i Edi Ramës ata varfërohen apo kanë rrogat më të ulëta se të gjithë kombet e tjera të rajonit. Pra të gjitha këto janë një kushtim, janë një apel për çdo shqiptar, të ngrihemi të shkallmojmë me mosbindje civile dyert e mbyllura nga krimi, vjedhja e shfrenuar e qeveritarëve, dhunimi i votës, droga që ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës.

Të ngrihemi për të çelur dyert dhe rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si e ardhmja më e shkëlqyer për Shqipërinë, shqiptarët, kombin tonë. Duke përfunduar, dua të shpreh një mirënjohje të pakufishme, popujve të vendeve anëtare të BE-së, për bujarinë, solidaritetin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar në këto dekada për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe dua të ju uroj këtë ditë, ditë e bekuar për mbarë Europën.

SHKARKO APP