Zbardhet marrëveshja. Berisha zbulon logon e koalicionit me LSI, ja si do të duket “Shtëpia e lirisë”.
Është zbuluar logoja e koalicionit të ri mes grupit të Sali Berishës dhe LSI-së, që do të garojnë të bashkuar në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Vetëm një ditë pasi Berisha zbuloi se koalicioni do të quhej “Shtëpia e lirisë”, sot zbulohet edhe logoja e këtij koalicioni.
Ndërkohë është zbardhur edhe marrëveshja e Sali Berishës me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Monika Kryemadhit, për të garuar bashkë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, nën emrin “Shtëpia e Lirisë”.
Ky koalicion do të jetë i vlefshëm vetëm për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Në marrëveshje theksohet se kandidatët e Sali Berishës në këto zgjedhje do të regjistrohen në KQZ nga kryetarja e LSi-së, Monika Kryemadhi.
“Të autorizojmë zj. Monika Kryemadhi, Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ose të autorizuarin prej saj, që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kandidatët për kryetar bashkie në këto njësi, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor. Të autorizojmë Z. Endrit Braimllari që: a. Të paraqesë kërkese për regjistrimin e Koalicionit, së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së. b. Të përfaqësojë Koalicionin gjatë procedurës së shortit, në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit. c. Të caktojë vëzhguesit e Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin”, thuhet në marrëveshjen e Shtëpisë së Lirisë.
Ndërkohë që pjesë e koalicionit do të jetë dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës. Marrëveshja është firmosur nga sekretari I Përgjithshëm I LSI-së, Endrit Braimllari, Flamur Noka si përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit, po ashtu dhe Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.