BERZH: Koncensionet me kosto sociale dhe rreziqe, iu dhanë pa konkurrencë firmave pa kapital

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020 është treguar e ashpër ndaj projekteve koncesionare me partneritet publik privat (PPP), që ka ndërmarrë gjerësisht qeveria shqiptare. Banka ka paralajmëruar se këto projekte mund të kenë kosto sociale, ekspozojnë qeverinë ndaj rreziqeve dhe për më tepër u janë dhënë pa konkurrencë firmave që kanë kapacitete të ulëta financiare, në raport me madhësinë e projektit.

“PPP-të e mëdha të diskutueshme vazhdojnë të jepen, veçanërisht në sektorin rrugor (për shembull seksionet Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara), pa një nivel të mjaftueshëm të analizës kosto-përfitim dhe konkurrencë në procesin e tenderit. Kjo rrit koston e mundshme sociale dhe e ekspozon qeverinë ndaj rreziqeve të zbatimit, duke pasur parasysh gjithashtu mungesën e përgjithshme të të dhënave dhe situatën financiare të ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”, tha BERZH.

Edhe pak ditë më parë, në një tjetër raport, BERZH, rendiste si një prej arsyeve të rishikimit në ulje të performancës ekonomike edhe “risqet e brendshme të lidhura me detyrimet e mundshme që rrjedhin nga programet e Partneriteteve Publike-Private, që u mungon transparenca dhe përgjegjshmëria”!

Banka tha se Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të trajtuar informalitetin si një nga pengesat më të rëndësishme për të bërë biznes. “Masat përfshijnë një sistem dhe procedura të thjeshtuara tatimore, forcimin e kapaciteteve për inspektime dhe luftën kundër korrupsionit dhe ryshfetit në administratën publike”.

Sipas Bankës, qeveria duhet të përqendrohet në përmirësimin e standardeve të qeverisjes fiskale dhe publike, përmirësimin e sjelljes së partneriteteve publike-private (PPP) dhe forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit.

BERZH tha se rritja ekonomike e Shqipërisë u ngadalësua në 2.4% nga viti në vit në gjysmën e parë të 2019, nga 4.1% në 2018, kryesisht si rrjedhojë e rënies së prodhimit të energjisë.

Banka the se mjedisi i biznesit mbetet i vështirë, me Shqipërinë që u rendit në vendin e 82-të nga 190 vende në raportin e Bankës Botërore Doing Business 2020, duke rënë 19 vende nga një vit më parë./MONITOR

SHKARKO APP