“Besëlidhja” e Presidentit, Lefter Maliqi: Të nisin protestat e qëndrueshme

Përmes një deklarate nga Kuvendi, deputeti Lefter Maliqi ka dalë në mbështetje të thirrjes së Presidentit Ilir Meta, që në 2 mars të mblidhen të gjithë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të firmosur dekretin e parë kundër grushtit të shtetit.

”Edhe thirrjes së Presidentit, Ilir Meta unë do ta mbështes. I bëj thirrje gjithë socialistëve të ndershëm, gjithë demokratëve, gjithë mediave, të gjithë aktorëve, artistëve, studentëve që të jenë në 2 mars. Me një kusht që 2 marsi e tutje të mos jetë si ato protesta me drita ndezur, por të jenë protesta të qëndrueshme deri në rrëzimin e këtij diktatorit. Jam në mbrojtje të presidentit vetëm për një fakt, sepse ka qenë student i dhjetorit 1990, pavarësisht se i shërbeu PS për vite të tëra, duke e fryrë këtë të pacipë, këtë të pangopur me pushtet e çdo gjë. Ka qenë student i dhjetorit për rrëzimin e diktaturës dhe mbrojtjen e demokracisë”.

Për zgjidhjen e kësaj krize, Maliqi kërkoi edhe ndërhyrjen e ndërkomëtarëve. ”Thirrja ime është e drejtpërdrejtë, në 2 mars e më pas të gjithë socialistët miqtë e mi, përkrahësit në Berat, por edhe kudo të jenë për fatet e vendit. Të fitojë më i miri, ndërkombëtarët të ndërhyjnë në mënyrë që të bëhet një zgjidhje politike sa më shpejt, mos ketë konfrontim fizik dhe vendi të kalojë në zgjedhje të lira të ndershme të parakohshme”.

SHKARKO APP