Besnik Mustafaj: Sjellja e sotme e Kurtit nuk është prej burri shteti dhe politikani vizionar

Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm, tha ndër të tjera sonte se mospritja e kryeministrit shqiptar nga kryeministri Kurti është e padenjë.

Mustafaj kritikoi edhe Edi Ramën për protagonizmin e tij.

Ja se çfarë deklaroi ish-ministri i jashtëm i PD: “Kjo gjuhë para politike, arkaike që përdor Rama është e padenjë për një drejtues shteti. Ç‘hyn Kanuni këtu?! Rama po përpiqet të marrë një rol protagonisti që nuk e mori dot në Open Balkan dhe që do ta marrë për Samitin e Berlinit. Është çështje protagonizmi. Ndërsa sjellja e sotme e Kurtit nuk është prej burri shteti dhe politikani vizionar. Ai duhej të takohej me Ramën dhe të flisnin për procesin e Berlinit. Tirana është vend mikpritës për samitin, por jo udhëheqës gjithsesi. Unë e bëra kritikën time shumë serioze për Kurtin, por gjatë këtyre dy viteve, Kurtin e ka lënë pas dere dhe e ka trajtuar si të pazotë”, – u shpreh Mustafaj në një intervistë në News 24.

Ndërkohë kryeministri Rama që ishte në një televizion të Kosovës tha ndër të tjera se “s’kemi pasur asnjë përgjigje zyrtare. Qeveri të tjera janë përgjigjur përmes kabineteve qeveritare. Edhe tani që flasim s’është arritur të kontaktohet kabineti i kryeministrit Kurti. Është diçka që unë s’mund ta komentojë”, ka deklaruar Edi Rama në Klan Kosova.

SHKARKO APP