Beteja e fundit e PD-së, sjell djegie mandatesh, protesta dhe rrëzimin e Qeverisë

Reagimet e deputetëve/ Në një prononcim për “Koha Jonë”, deputetët opozitar shprehen se: ”Në Parlament do të djegin mandatet, nëse ka trafikim vote”

Redjon Shtylla

Nëse drafti i Reformës nëse do të kalojë për votim në Kuvend pa dakordësinë e opozitës, maxhoranca e vetme nuk e plotëson numrin e nevojshëm të votave, 94 vota që kërkon votimi. Për këtë prej disa javësh flitet se do të ketë ”trafikimit” të votës të deputetëve demokratë. Por qëndrimin e saj, opozita e artikuluar mjaft qartë, në mes të kuvendit do të djeg mandatet e deputetëve të saj, nëse trafikohet qoftë edhe një votë. Kjo mbetet mundësia e parë që maxhoranca të kuptojë që nëse blihen votat e opozitës, nuk do të ketë një drejtësi e aq më pak një Reformë në Drejtësi. Lidhur me këtë debat, “Koha Jonë”, ka marrë prononcimet e disa deputetëve të PD-së, në lidhje se pyetjen se: “Me shumë mundësi, drafti i reformës i padakordësuar me ju do të votohet në javën e parë të korrikut. Nëse nuk arrihet konsensusi, cili do të jetë plani i fundit i opozitës për të mos lejuar votimin”?

Swiss Digital Desktop Reklama

Fatmir Mediu: Votimi i reformës pa opozitën sjell largimin e qeverisë

Swiss Digital Mobile Reklama

Për aleatin e PD-së kreu e Partisë Republikane, Fatmir Mediu në rast se drafti votohet pa dakordësinë e opozitës, do të shohim një qeveri që do të largohet. Sipas tij, opozita nuk duhet dhe nuk do të marrë pjesë në një draft të njëanshëm që sipas tij nuk largon “gjyqësorin e korruptuar, por shton kontrollin politik të maxhorancës”. Duke komentuar pjesën e blerjes së votës të demokratëve, kreu i Republikanëve shpreh më tej se: “Është e turpshme dhe drejtësi që korruptohet që në proces vetëm kjo maxhorancë mund të mendoj, sepse interesi i saj nuk është drejtësia e pavarur”. Ai si aleat i opozitës i ka bërë thirrje kësaj të fundit, që nëse shkon në votim drafti pa dakordësinë e saj, “Opozita duhet të organizojë çdo formë demokratike të refuzimit dhe largimit të kësaj qeverie”,- pohoi Fatmir Mediu.

Deda: “Kuvendi nuk duhet të votojë reformën që kap drejtësinë”

Edhe për deputeten e PD-së, Albina Deda, nëse tentohet trafikimi i votës, do të jetë fundi i Parlamentit. Më tej në prononcimin për “Koha Jonë”, ajo nënvizon se: “Maxhoranca sa për dijeni, Komisioni i Venecias nuk i dërgoi fillimisht as ftesë. Pas presioneve nga opozita, u detyruan të bëjnë ftesë nëpërmjet z.Xhafa. Vijë e kuqe sipas Ramës është për arsye në thonjëza se gjyqtarët janë të djathtë, janë të PD-së. Veting për çfarë e do Rama? Që t’i emërojë socialistë, meqë thotë që gjyqtarët janë të PD-së? Sa për”Kriteret”gjyqtarët a janë qenie shoqërore? A janë dhe qenie politike njëkohësisht? Atëherë si kriteret do ti minimizojnë? Në vend që të thotë faleminderit opozitës, komisionit, Rama i thotë kryetarit Basha: “Ja vija e kuqe”,- thuhet ndër të tjera në deklaratën e deputetes Deda. Për më tepër ajo shton se për PD do të jetë fundi i parlamentit nëse trafikohet qoftë edhe një mandat i opozitës. “Menjëherë opozita do të djegë mandatet dhe përfundimisht do t’i drejtohemi qytetarëve, që na kanë mbështetur dhe votuar dhe që presin nga ne zgjidhje edhe për shumë probleme që kanë lidhje me jetën e vështirë, varfërinë, papunësinë, taksat, çmimet e larta, mungesë shërbimesh, braktisje dhe arrogancë nga kjo qeveri e papërgjegjshme, e plantacioneve të drogës, e trafiqeve, skandaleve dhe korrupsionit galopant. Mendoni pak çfarë mund të bënte Rama pas miratimit të draftit, kur arriti me presion ndaj gjyqësorit të kthej Çakon në detyrë dhe të liroj Roshin nga burgu”,- u shpreh Albina Deda.

Mimoza Hajdarmataj:”Rama nuk ka votat e të vetëve”

Përveç votave kundër që ka nga PD-ja, Rama ka kundër dhe vota nga maxhoranca, të paktën kështu është prononcuar deputetja e opozitës, Mimoza Hajdarmataj. Ajo ka nënvizuar se: “Avancimi në mënyrë të njëanshme tregon ngutjen e kësaj maxhorance, për të kapur politikisht organet e vetingut. Reformë me kapje politike nuk mund të ketë”,– u shpreh ajo. Duke ritheksuar kërkesën e grupit, Hajdarmataj nënvizon se zgjidhja e vetme duhet të jetë zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias. E kjo sipas asaj arrihet me konsensus të plotë me Opozitën. “Nëse refuzohet të zbatohet opinioni i Venecias, me qëllim kapjen e drejtësisë, jam e sigurt se Rama nuk i ka të sigurta votat e maxhorancës, të blerë dhe të shitur  dhe bën diversion me trafikimin e votave nga radhët e opozitës”,- komentoi deputetja. Por sipas saj, këto qëndrime të Kryeministrit Rama po e vendosin atë në një udhëkryq historik. “Nuk do marri votëbesimin e të vetëve që do të thotë duhet të kalojë në mocion mosbesimi”,- deklaroi Mimoza Hajdarmataj.

Luçiano Boçi: “Rruga e gabuar për ndryshimet kushtetuese”

Deputeti demokrat Luçiano Boçi në prononcimin për “Koha Jonë”, ka nënvizuar se kjo maxhorancë po përdor procedurë antikushtetuese për të miratuar ndryshimet kushtetuese. “Me saktë rrugë antikushtetuese për të ligjetimuar ndryshime kushtetuese. Jemi në kufijtë e absurdit. Nuk besoj se këtu ka qëllime të mira dhe të sinqerta për drejtësinë. Nxitimi për ta çuar në mënyrë të njëanshme draftin dëshmon vrapin e tyre për të kapur drejtësinë, plotësisht në rastin më të mirë dhe për ta penguar duke shënjestruar fajtore opozitën në rastin më të keq”. Deputeti Boçi ka rikujtuar vendim e grupit, që çdo ndryshim kushtetues duhet bërë me dakortësinë e palëve politike dhe jo me inkurajimin e trafikimit të votave. “Djegia e mandateve është opsion për t’ju përgjigjur çdo tentative blerje të votave dhe deformim të procedurave kushtetuese”,– u shprehet më tej deputeti.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?