Betohen 8 shtetas të rinj, Veliaj: Pema me kokrra godi*et me mol*tov, ne krijojmë histori suksesi
Edhe 8 shtetas të rinj janë betuar para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Kryebashkiaku përgëzoi shtetasit e rinj shqiptarë të cilët u bënë pjesë e skuadrës e një flamuri që kanë si mision ta çojnë Tiranën dhe Shqipërinë përpara. Duke vënë në dukje zhvillimin e kryeqytetit dhe arritjet, Veliaj u shpreh se fokusi te puna dhe refuzimi i dhunës është çelësi për të krijuar histori suksesi.
“Jetojmë në Ballkan dhe këtu suksesin nuk ta falin kollaj. Edhe pemës me kokrra i gjuhet, jo vetëm me gurë, por edhe me molotov. Shpresoj të mos dekurajoheni sepse nuk është ‘çmendur’ vetëm Ballkani, por e gjithë bota jeton me debatet e populizmit, me debatet e lajmit të rremë dhe sulmit të atij që do t’i çojë gjërat përpara. Kur mendoj se sa kemi mbërritur falë punës në Tiranë dhe kur mendoj që ky qytet sot është hapësira më e vizituar dhe pas Covid-it, Tirana dhe Shqipëria po shkojnë drejt një turizmi 365 ditë dhe kur shoh se sa shumë ekonomi po vjen dhe sa zhvillim ka Tirana, besoj se ne shqiptarët kur bëhemi bashkë, kur e kemi mendjen te puna dhe jo te dhuna, krijojmë histori të jashtëzakonshme suksesi”, u shpreh ai.
Sipas kryebashkiakut, Tirana e sotme është një qytet ndryshe nga ai i disa viteve më parë. Ai ftoi shtetasit e rinj që, përmes eksperiencës dhe fjalës së tyre, të përçojnë mesazhet pozitive që ata kanë gjetur në kryeqytetin shqiptar, duke u kthyer kështu në promovues të vlerave shqiptare, por edhe për ta kthyer Tiranën në një epiqendër të vëmendjes, të ekonomisë dhe kuriozitetit të atyre që e vizitojnë.
“Vetëm qendra e Tiranës është mbushur sot me një pafundësi numrash turistësh, të cilët e kanë bërë qytetin tonë, krejt papritur, një epiqendër të vëmendjes, të ekonomisë dhe të kuriozitetit të atyre që vijnë dhe vizitojnë Tiranën tonë. Shpresoj shumë që secili prej jush do jetë gjithashtu një agjent marketing, duke folur mirë për njëri-tjetrin, për vendin. Nga sot, pas betimit, jeni zyrtarisht shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe kam shumë shpresë që secili prej jush, edhe me fjalën që thotë me mënyrën sesi tregon këtë eksperiencë apo flet për Shqipërinë e Tiranën, do të kthehet në një agjent marketingu, por edhe në agjent ndryshimi”, tha Veliaj.