Betohet Aleksandër Vuçiç: Do ta ruaj Kosovën si pjesë të Serbisë
“Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtoj për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj”.
Kështu thuhet në tekstin e betimit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka bërë para deputetëve të Kuvendit më 31 maj, pasi fitoi mandatin e dytë pesëvjeçar në zgjedhjet e prillit.
Teksti i betimit është i përcaktuar me Kushtetutën e Serbisë dhe është në përputhje me preambulën e aktit më të lartë juridik të shtetit, ku thuhet se “krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.
“Vuçiç i përmbahet asaj që është shkruar në Kushtetutë. Sigurisht që mund të ketë dallime të caktuara mes asaj që shkruan dhe realitetit, por kjo nuk mund ta çlirojë atë apo organet e tjera shtetërore nga detyrimi që qëndron në Kushtetutë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i Fakultetit të Drejtësisë ‘Union’ dhe eksperti i të drejtës kushtetuese, Bogoljub Mirosavljeviç.
Preambula u përfshi në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006, pas shpërbërjes së bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi, kur Vojislav Koshtunica, lideri i atëhershëm i Partisë Demokratike të Serbisë, ishte në krye të Qeverisë në Beograd.
A ka Serbia kompetenca mbi Kosovën?
Pas ndërhyrjes së NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), e cila u iniciua për shkak të krimeve të forcave serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë, në vitin 1999, presidenti i atëhershëm i RFJ-së, Slobodan Milosheviq, pranoi Marrëveshjen e Kumanovës, me të cilën u tërhoqën forcat serbe nga Kosova.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Serbia ende nuk e njeh.
Nën patronazhin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit, në vitin 2013, për t’i hapur rrugën normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve.
Dispozitat kryesore të marrëveshjes i referohen shuarjes së strukturave të sigurisë dhe institucioneve gjyqësore të Serbisë në Kosovë, gjegjësisht shkrirjes së tyre në sistemin gjyqësor të Kosovës, vendosjes së komandantit rajonal të policisë për katër komunat me shumicë serbe, përfundimit të bisedimeve për energjinë dhe telekomunikacionit, si dhe formimi i Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe.
“Realiteti është se në njëzet vjetët e fundit, e veçanërisht pas marrëveshjes së Brukselit, kontrolli efektiv i territorit të Kosovës është gjithnjë e më shumë në duart e Qeverisë së Kosovës, si dhe kontrolli i sigurisë në duart e institucioneve të Kosovës dhe forcave ndërkombëtare”, tha analisti nga Kosova, Agon Maliqi.
Edhe pse Marrëveshja e Brukselit parasheh shfuqizimin e institucioneve paralele serbe në Kosovë, ato ende ekzistojnë dhe Qeveria e Serbisë ndan çdo vit dhjetëra milionë euro nga buxheti i saj për financimin e tyre.
Në Qeverinë e Kosovës marrin pjesë përfaqësues të serbëve, ndërkaq partia më e madhe – Lista Serbe – konsiderohet si satelit i Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit.