Bilanci gri i bojkotit të PD

Partia Demokratike po bëhet gati të kthehet në Kuvend, por mbetet e paqartë nëse rezultati që arriti e justifikon përdorimin e këtij mjeti ekstrem politik.

Nga Aleksandra Bogdani, BIRN

Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë janë në kërkim të një fundi me nder për bojkotin e tyre të diskutueshëm, që zgjat prej 5 muajsh në Kuvendin e Shqipërisë.

Opozita braktisi Parlamentin me pretendimin se ai ishte kthyer në “strehë të krimit” më 10 korrik të këtij viti, menjëherë pasi dy deputetë socialistë dhunuan demokratin Gent Strazimi. Pesë muaj më vonë, opozita i kthehet kësaj teze, duke i kërkuar si kusht maxhorancës, miratimin e një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit.

Bojkoti i ri i parlamentit riktheu ngërçin e vjetër në skenën politike shqiptare, duke ftuar edhe një tjetër herë në bord komunitetin ndërkombëtar për të luajtur rolin e arbitrit. Një marrëveshje paraprake mes opozitës dhe maxhorancës, e ndërmjetësuar nga zyrtarë të Parlamentit Europian mori dritën jeshile gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Bruksel, në fillim të javës.

Marrëveshja që do t’i hapë dyert opozitës në Kuvend pritet të formalizohet në fillimin e javës së ardhshme, pasi maxhoranca duket se ka rënë dakord që të miratojë projektligjin që ekspozon para publikut, deputetët me të kaluar të errët kriminale.

Një arsye e dytë që e ngut opozitën t’i rikthehet brenda këtij viti Kuvendit është rreziku i djegies së mandateve në seancën e fundit të vitit 2014. Ky rrezik ka krijuar një debat brenda së djathtës, ku disa deputetë janë më të paduruar se të tjerët për të ndërprerë bojkotin.

Dashamir Shehi, kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, i cili e fitoi mandatin prej listave të mbyllura të PD-së në zgjedhjet e fundit parlamentare deklaroi të enjten se ai do të kthehej në Kuvend më 18 dhjetor, me apo pa pjesën tjetër të deputetëve të djathtë.

“Bojkoti i opozitës prodhoi disa efekte pozitive, por nëse teprohet, mund t’i humbim edhe ato që kemi fituar,” i tha ai BIRN-it, në një bisedë telefonike.

Çfarë arriti opozita me bojkotin

Bojkotet parlamentare janë një sëmundje e vjetër e politikës shqiptare, të cilat më shumë se sa kauzave, u kanë shërbyer në të shkuarën interesave të lidershipit politik në të dy krahët.

Për të dalë me kokën lart nga kjo histori, Partia Demokratike po përpiqet të paketojë me ambalazhin e së mirës publike, arsyen “e dobët” që e shtyu të braktiste Parlamentin më 10 korrik. Ajo po përpiqet të fitojë pikë, duke detyruar maxhorancën të pranojë problemin e deputetëve të kriminalizuar brenda radhëve të saj.

Arion Sulo, kryeredaktor i gazetës “MAPO” e sheh si një arritje të PD-së këtë projektligj, që bën njëfarë pastrimi në radhët e Kuvendit të Shqipërisë. Ai dyshon se ligji i ri mund të “djegë” përtej deputetëve periferikë me dosje të provuara, edhe “peshq të mëdhenj”, por gjithsesi vendos një standard.

Sulo është kundër politikës së bojkotit në tërësi dhe argumenton se një fitore të tillë, demokratët mund ta kishin arritur edhe pa humbur pesë muaj jashtë Kuvendit.

“Në mënyrë figurative mund të them që Partia Demokratike përdori një bazukë për të vrarë një mizë. Por kthimi i opozitës, me apo pa nder është një hap pozitiv, pasi plotëson një boshllëk që po fillonte të krijonte pasoja për të gjithë,” thotë ai.

Gjatë muajve të bojkotit, kryetari i demokratëve, Lulzim Basha shtoi dozat e kritikës për maxhorancën Rama-Meta, duke i akuzuar ata se kishin vënë gjithçka nën thundrën e pushtetit të tyre.

Analisti Mentor Nazarko mendon një arritje tjetër e opozitës është ndërgjegjësimi i maxhorancës aktuale për mënyrën se si ajo po e administron pushtetin.

“Bojkoti formësoi edhe një ndërgjegjësim të maxhorancës, e cila duhet ta dijë që nuk mund ta administrojë pushtetin në mënyrë absolute. Në këndvështrimin e së mirës publike, kjo është një arritje,” thotë Nazarko.

Për deputetin Dashamir Shehi, opozita ia doli të sensibilizojë opinionin publik dhe të ndërkombëtarizojë problemet që po shkakton maxhoranca aktuale. Ai sugjeron se tani ka ardhur koha që palët t’i rikthehen jetës normale parlamentare, duke zbatuar angazhimet që kanë marrë përsipër.

Në kërkim të një fundi për bojkotin

Përgjatë 24 viteve të tranzicionit, politika shqiptare është dominuar më së shumti prej kryeministrave që kanë udhëhequr me dorë të fortë. Të mbetura jashtë rrezes së pushtetit, partitë në opozitë e kanë përdorur shpesh bojkotin si një mënyrë për të mbijetuar, ose për të zgjidhur problemet e tyre të brendshme.

Partia Socialiste e Edi Ramës kaloi një kohë të gjatë jashtë Parlamentit pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009, me pretendimin se qeveria “Berisha” se kishte vjedhur votat. Rama kërkoi si kusht hapjen e kutive të votimit, por kundërshtarët e akuzuan se po e përdorte këtë manovër për t’i mbijetuar luftës së brendshme në parti.

Partia Demokratike e shpalli bojkotin pa kaluar 1 vit nga humbja drastike e zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. Gjatë kësaj kohe, kryetari i ri, Lulzim Basha u kujdes paralelisht të forconte pozitat në partinë që besohet gjerësisht se kontrollohet ende nga Berisha.

Analisti Mentor Nazarko nuk e përjashton këtë kontekst nga arsyet që e shtynë Partinë Demokratike të bojkotonte Parlamentin.

“Në njëfarë mënyre, bojkoti është një përpjekje e Lulzim Bashës për të pajtuar dy shpirtat që luftojnë ende në PD. Një shpirt është ai i revanshizmit apo i kundërshtimit të çdo gjëje, që përfaqësohet nga zoti Berisha dhe qasja tjetër që ekziston, është ajo e opozitës së arsyeshme,” i tha Nazarko BIRN-it.

Maxhoranca është ana tjetër e medaljes dhe historia ka treguar se të majta apo të djathta, ato sillen thuajse njësoj kur ngjiten në pushtet.

“Maxhoranca e Edi Ramës nuk ndryshon shumë nga ajo e kaluara. Ajo tentoi t’i bëjë Partisë Demokratike të njëjtën gjë që kishte pësuar prej saj, kur ishte në opozitë. Në fund, ishte presioni ndërkombëtar që e detyroi të reflektonte,” thotë Arion Sulo.

I përdorur me tepri dhe jo pa dinakëri për forcimin e autoritetit të liderëve, bojkoti shihet megjithatë si një masë ekstreme dhe mbeturinë e një kulture të vjetër politike nga shumica e shqiptarëve. Ndërsa ndërkombëtarët, të lodhur nga ndërmjetësimet e shpeshta Tiranë-Bruksel, e kanë vendosur përmirësimin e klimës politike si kusht të parë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Pasi e ka ndarë mendjen të thyejë bojkotin dhe të kthehet në Parlament, deputeti i opozitës, Dashamir Shehi rendit jo pa ironi si arritje të bojkotit edhe mbylljen e tij.

“Bojkoti është një masë ekstreme, por në Shqipëri e kanë legjitimuar të dyja palët këtë punë. Uroj që kjo të jetë hera e fundit dhe politika shqiptare të dalë njëherë e mirë nga kjo fazë,” përfundon Shehi.

SHKARKO APP