BIRN: Dëmet e tërmetit u vlerësuan nga punonjës të pakualifikuar
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre dyshime mbi kapacitetet profesionale të Institutit të Ndërtimit -institucioni shkencor i ngarkuar me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.
Raportimi i BIRN
Pasditen e 3 tetorit, forcat e ushtrisë së repartit të xhenios përdorën 130 kilogramë eksploziv për shembjen e një pallati përbri drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës.
Shembja e ndërtesës 12 katëshe, e ndarë në 3 seksione me 154 apartamente, erdhi pas një odiseje të gjatë përballjeje mes banorëve, kompanisë ndërtuese “Kastrati Group” dhe Institutit të Ndërtimit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, Instituti i Ndërtimit fillimisht i dha kompanisë një oponencë teknike, duke rekomanduar riparimin e pallatit dhe pas protestave të banorëve, prodhoi një dokument të dytë që mban të njëjtën datë, duke rekomanduar shembjen dhe rindërtimin e saj.
Ekzistenca e dy akt-ekspertizave të prodhuara në të njëjtën datë, por me konkluzione të kundërta, konsiderohet falsifikim dhe vepër penale nga juristët.
“Do të thotë që dikush ka falsifikuar dokumentin, për interesa personale ose jo, dhe normalisht nëse provohet se kush person e ka bërë, ai shkon për ndjekje penale,” shpjegoi Erisilda Shpata, avokate në Durrës.
“Ndërkohë që është edhe shpërdorim detyre nëse ka pasur dy mendime të ndryshme bazuar në të njëjtat prova dhe në të njëjtat akte,” shtoi ajo.
Ky nuk është i vetmi akt-inspektim kontrovers i miratuar nga Instituti i Ndërtimit. Të dhëna dhe dëshmitë e mbledhura nga BIRN tregojnë se akt-ekspertimet janë kundërshtuar si kontradiktore edhe nga banorë të tjerë, banesat e të cilave janë dëmtuar rëndë nga tërmeti i një viti më parë.
Sipas një auditi të performancës që Kontrolli i Lartë i Shtetit realizoi në Institutin e Ndërtimit përpara tërmetit të 26 nëntorit, cilësia e debatueshme e oponencës teknike për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, mund të shpjegohen edhe nga burimet e papërshtatshme njerëzore të këtij institucioni.
Në mënyrë të veçantë, sektori i Oponencës Teknike, që vlerëson dhe dikton fatin e prishjes ose jo të godinave pas vlerësimit të akt-ekspertizave të thelluara, rezultoi sipas KLSH-së me mungesa në kualifikim dhe eksperiencë.
“Fakti që nga 16 punonjësit e Drejtorisë së Rregullave Teknike dhe Oponencës, 7 punonjës nuk kanë licencë për projektim (edhe pse është kriter i kërkuar) dhe 5 punonjës janë të sapodiplomuar dhe pa eksperiencë në fushën e projektimeve, si dhe kryerja e oponencave nga bashkëpunëtorët e jashtëm, evidenton mungesën e kapaciteteve teknike për kryerjen e oponencave teknike,” thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në raport.
I pyetur mbi gjetjet e KLSH-së në auditin e performancës, Instituti i Ndërtimit nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e shkrimit.
Tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë e Mesme më 26 nëntor u mori jetën 51 viktimave dhe plagosi qindra të tjerë. Vala shkatërrimtare e goditjes u ndje në mënyrë të veçantë në Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Kurbin, ku qindra ndërtesa u dëmtuan dhe u shpallën të pabanueshme, duke lënë të pastrehë disa mijëra banorë.
Instituti i Ndërtimit u krijua në vitin 2004, pas shkrirjes dhe bashkimit të 3 instituteve kërkimore. Ai është në varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe funksionin si një institucion me vetë-financim, duke kryer kërkime shkencore, projekte dhe shërbime për të tretët, si oponenca, ekspertiza dhe kontrolle për produktet e ndërtimit.
Instituti i Ndërtimit është gjithashtu përgjegjës për inspektimin e godinave të dëmtuara nga lëkundjet sizmike, duke përcaktuar shkallën e dëmit.
Në ditët e para pas tërmetit, grupet e inxhinierëve në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe specialistët e huaj hartuan akt-konstatime të thjeshta, duke i pasuar me ato që njihen si “akt-ekspertizat e thelluara” për godinat e dëmtuara rëndë.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se deri më tani janë klasifikuar për shembje përmes akt-ekspertizave dhe është realizuar procesi i shembjes së 631 godinave, ndër to: 100 banesa kolektive (pallate), 447 banesa individuale, 56 objekte arsimore, 6 objekte shëndetësore dhe 22 godina të tjera.
“Janë në proces shembje 2351 godina në bashkitë Tiranë, Durrës, Shijak, Kavajë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Vorë, Krujë, Kamëz, Rrogozhinë,” tha Ahmetaj.
Raporti i KLSH-së për Institutin e Ndërtimit mbulon periudhën 2015-2018, kohë kur aty kanë qenë të punësuar 201 persona.
KLSH gjeti se Institutit i mungonin punonjës të kompletuar profesionalisht, ndërsa kishte rekrutime jashtë profilit dhe pa eksperiencën e domosdoshme.
Për periudhën 2017-2018, raporti evidentoi se nga Institutin e Ndërtimit janë kryer oponenca teknike për 242 objekte, me vlerë 184.2 milionë lekë ose rreth 1.5 milionë euro. Pjesa më e madhe e tyre, ashtu siç po veprohet me godinat e dëmtuara nga tërmeti, rezulton t’u jenë caktuar bashkëpunëtorëve të jashtëm.
KLSH thekson se mungesa e një laboratori të akredituar ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi që siguron të ardhurat për vetëfinancim.
Sipas KLSH-së, laboratori i Institutit të Ndërtimit rezulton të funksionojë mbi ‘standardet shtetërore”, duke mos aplikuar normat dhe standardet bashkëkohore, si edhe ato të Bashkimit Europian. Bazuar në raportimin e rezultateve dhe manualin e cilësisë në vitet 2016-2018, u evidentuan 210 raste me mospërputhje ligjore gjatë testimit të produkteve të ndërtimit.
Mungesa e trajnimit të punonjësve dhe aftësive për evidentimin e marzhit të gabimit, klasifikohen si mangësi të tjera të Drejtorisë së Laboratorëve.
“Kryhet një numër i madh testimesh me pajisje të pakalibruara,” thekson KLSH, duke shtuar se edhe kalibrimet nga subjekte të jashtëm paraqiten jo të plota dhe jo në zbatim të standardeve ndërkombëtare ISO/IEC.
Instituti i Ndërtimit, sipas legjislacioni në fuqi kryen oponencën teknike për projekte publike me vlerë mbi 100 milion lekë. KLSH analizoi oponencat teknike për 4 projekte publike, ndër to parkimi nëntokësor në sheshin “Skënderbej” apo projekti i Unazës së Re, duke gjetur mungesë profesionalizmi nga stafi i Institutit.
“Oponenca teknike e hartuar paraqitet përgjithësisht si një inventarizim i dokumentacionit,” shkruan KLSH.
“Rekomandimet e dhëna për çdo kapitull duhet të ishin reflektuar në konkluzionin përfundimtar, i cili, për mangësitë dhe devijimet nga standardet që kishte projekti, duhet të kishte dhënë vlerësimin negativ për këtë projekt,” përfundon KLSH.