BIRN: SPAK që u ngrit vetëm për zyrtarët e lartë nuk heton dosjen e Dibrës
Hetimi i dosjes 184 të nisur nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda për një rreth zyrtarësh të Partisë Socialiste të dyshuar për krime zgjedhore në Dibër vazhdon të mbetet në vendnumëro, ndërkohë që fashikujt shkojnë dhe vijnë nga Tirana në Dibër që prej korrikut të 2019-ës.
Më 22 janar, Prokuroria e Dibrës e rikualifikoi veprën penale të kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” dhe e dërgoi dosjen në drejtim të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Ogranizuar, SPAK.
Por SPAK, i ngritur për të luftuar korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar nuk e pranoi atë, duke e kthyer sërish drejt Dibrës vetëm 5 ditë më vonë.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja i tha BIRN se procedimi i nisur për manipulimin e votave në Dibër nuk ishte kompetencë e tyre.
“Nga shtatori deri në janar nuk është kryer asnjë veprim hetimor nga prokuroria e Dibrës. Është kualifikuar si ‘grup i strukturuar kriminal’ pa pasur asnjë element të ri,” tha Kraja për BIRN, duke kujtuar se zgjidhja e kompetencës ishte bërë më parë nga ish-kryeprokurorja Arta Marku.
“Asnjë prej personave të shënuar në procedim si të dyshuar, nuk janë subjekte që hetohen nga SPAK,” shtoi Kraja.
Prokuroria e Dibrës nuk komentoi arsyet se pse dosja ishte dërguar drejt SPAK-ut. Koordinatorja për mediat, Violeta Shahini tha se dosja kishte mbërritur nga Tirana, por nuk është regjistruar ende.
Në gusht të vitit 2019, përmes një njoftimi për mediet, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi vendimin e ish-kreut të saj, Arta Marku për të përcaktuar Prokurorinë e Dibrës dhe jo atë të Krimeve të Rënda si kompetente për hetimin e dosjes 184.
Arsyeja kryesore lidhej me vendimin e prokurorit Klodian Braho për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale nga “grupi i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”; që sipas Prokurorisë së Përgjithshme përcaktoi edhe juridiksionin e dosjes jashtë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Vendimi për ndryshimin e veprës penale u mor më 12 korrik; gati tre vjet pas regjistrimit të procedimit penal 184/2016 të regjistruar pas kallëzimit të Partisë Demokratike të datës 1 shtator 2016.
Më 15 korrik 2019 dosja u nis drejt Dibrës me dy kategori personash në hetim; ku të parët akuzohen për “dhënie të shpërblimeve dhe premtimeve”, si dhe “kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa të dytët për “shpërdorim detyre”.
Prokuroria e Dibrës refuzoi disa ditë më vonë të marrë në dorëzim dosjen, duke pretenduar se prokurorët ishin në konflikt interesi me çështjen dhe se nuk kishin mjaftueshëm staf për ta përballuar atë. Ata kërkuan ndërhyrjen e ish-kryeprokurores Marku për ta kthyer çështjen te Krimet e Rënda, por pretendimet e tyre u konsideruan të pabazuara.
Një seri përgjimesh nga e ashtuquajtura “Dosja e Dibrës” u publikuan në qershor 2019 nga tabloidi gjerman BILD, duke ekspozuar një nivel të ri të asaj që është denoncuar si abuzim masiv me pushtetin, presion i paligjshëm mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore, duke përfshirë kësaj here, edhe nivelet më të larta të qeverisë dhe Partisë Socialiste.
Përgjimet treguan angazhimin e zyrtarëve të ndryshëm të policisë së shtetit me synimin e pengimit të mbështetësve të Partisë Demokratike në opozitë për të udhëtuar nga Kamza për në Dibër për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 shtatorit 2016.
Përgjimet treguan gjithashtu se si ish-ministri Damian Gjiknuri thoshte se kishte dërguar në Dibër në dispozicion të një ish-drejtuesi policie në atë kohë të quajtur Arben Keshi, ata që Gjiknuri i quan “çuna problematikë”, për t’u përdorur në rast nevoje.
Përgjimet e publikuara përmbanin edhe një bisedë të kryeministrit Edi Rama me Arben Keshin, funksionar i PS dhe më vonë drejtues i Policisë. Në bisedën e përgjuar, Rama e pyeste Keshin nëse e kishte arritur objektivin, ndërsa Arben Keshi i përgjigjej se “ishin në pritshmëri të mëdha”.
BIRN