Bisedë e papublikuar mes Ramiz Alisë dhe Nënë Terezës, 4 dhjetor 1990
Nga Kastriot Dervishi
Ramiz Alisë-kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor u takua me Nënë Terezën pak ditë para se të shpallje zyrtarisht pluralizmi politik. Në procesverbalin përkatës të datës 4.12.1990 shënohet takimi me “bamirësen e njohur me origjinë shqiptare”. Në rendin e ditës së takimit ishte sjellja e 4 motrave për të hapur misionin bamirës. Misioni bamirës i Nënë Terezë kishte këtë kohë në 94 shtete të botës: 2 mijë motra, 440 shtëpi, por asnjë në atdheun e saj të helmuar nga komunizmi. Ramiz Alia nuk i jepte një shtëpi për misionin e saj. Gjoja e pengonte kushtetuta. Në shtetin më antikushtetues të Europës, Ramiz Alia fliste për kushtetutë e ligje. Interesant është se Nënë Tereza mbante mend në gjuhën shqipe shprehjen “lutu për mua”.
Ekstrakt nga biseda e Ramiz Alisë me Nën Terezën
Ramiz Alia: Ju kam ndjekur vazhdimisht sepse jeni jo vetëm Nënë Tereza e Kalkutës, por edhe Nënë Tereza e Shqipërisë.
Nënë Tereza: Unë jam shqiptare dhe në të njëjtën kohë, lidh Shqipërinë me Indinë. Kam 62 vjet që jetoj në Indi dhe kam shtetësinë indiane. Kam shkuar atje që në moshën 18 vjeç.
Ramiz Alia: Po Shqipërinë nuk e keni harruar.
Nënë Tereza: Shqipërinë nuk e kam harruar, por atje nuk kam me kë të flas shqip.
Ramiz Alia: Fjalë shqip dini?
Nënë Tereza: Di, për shembull “lutu për mua”, etj. Ju kam shkruar juve disa fjalë në gjuhën shqipe për herë të parë pas kaq vitesh.
Ramiz Alia: I kam marrë letrat. Ju falënderoj shumë. Ishin letra plot dashuri e ngrohtësi për popullin shqiptar edhe për mua.
Më tej debati zhvillohet rreth kërkesës së Nën Terezës për të çelur misionin e saj bamirës. Ajo i kujton Ramiz Alisë se në Moskë kishin organizuar një mision ku i shërbenin 600 të moshuarve apo gjymtuarve. Alia ia kthen përgjigjen se në Shqipëri shteti i bënte të gjitha se kishin kushte, doktorë, infermierë, shëndetësi falas, etj.
Vijimi i bisedës:
Nënë Tereza: Thjesht për t’u kujdesur e për t’i shërbyer këtyre njerëzve (të sëmurët e fatkeqët-shënim). As para, asgjë tjetër nuk kërkojmë. Jam shumë e lirë.
Ramiz Alia: Edhe ne nuk kemi (të sëmurë e fatkeqë-shënim), jemi të lirë. Prandaj i thashë nënës, më do për president të mirë apo për president të keq?
Nënë Tereza: Unë lutem për ju!
Ramiz Alia: Që të jem president i mirë unë nuk kam rrugë tjetër.
Nënë Tereza: Po të më jepni mua një shtëpi, ju do të jeni një president i mirë, jo i keq. Populli i Shqipërisë, shqiptarët, më duan shumë.
Ramiz Alia: E di, por bie në kundërshtim me ligjet.
Nënë Tereza: Për punë të tillë bamirësie, dashuria nuk ka ligje.
Ramiz Alia: T’jua them unë ligjin. Sot që u mor vesh që ka ardhur Nënë Tereza në Shqipëri, islamikët e Arabisë Saudite kërkuan të vijnë në Shqipëri të ndihmojnë për hapjen e xhamisë. Si të bëj unë?
Nënë Tereza: T’ju them unë, do t’i jap Nënë Terezës një xhami për një kishë.
Ramiz Alia: Jo, nuk i them do ashtu se nuk më lejon kushtetuta, nuk më lejojnë ligjet. Unë do t’u them atyre kur të ndryshojë ligji. Pse ju thashë juve për më 4 mars, sepse parashikoj që në shkurt do të kemi zgjedhjet dhe do të ndryshojmë kushtetutën. Kështu që edhe ligjërisht unë jam ballëhapur përpara të gjithëve dhe të parën gjë që do e bëj, do të jetë për Nënë Terezën. Domethënë i pari favor do të jetë për Nënë Terezën.
Nënë Tereza: Është kohë e gjatë shumë deri në mars.
Ramiz Alia: Janë vetëm 3 muaj. Do ta rregullojmë, ne kemi një institucion për fëmijë e të rritur, të hendikapuar. Ne kemi mjekë e infermierë, po motrat tuaja mund të japin një ndihmë atje. Kjo do të jetë gjë e mirë. /55 news/