”Bizneset drejt falimentimit”/Mediu në Kombinat: Rama shan, fokusi ynë është tek punësimi
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, njëherësh edhe kandidat për deputet si pjesë e koalicionit “Aleanca për Ndryshim”, zhvilloi takime në zonën e Kombinatit, ku takoi bizneset dhe banorë të kësaj zone. Mediu kërkoi mbështetjen e tyre për 25 prillin, duke votuar për PD-në. Kreu i PR-së, gjatë takimeve të tij, dëgjoi shqetësimet e bizeneseve që po shkojnë drejt falimentimit, për shkak të taksave dhe arbitraritetit të korrupsionit qeveritar.
”Unë mendoj, në të gjitha aspektet, që ne jemi një vend që nuk kemi treg rajonal dhe ideja e uljes së taksës, për një taksë të sheshtë është që ne të kemi kompeticion edhe me rajonin. E dyta, për të mbështetur bizneset, dhe sidomos bizneset e vogla, si baza e ekonomisë, për t`i dhënë një frymëmarrje sa më të madhe, duke vendosur dhe normën e taksës edhe mbi xhiron për ato që janë nën 14 milionë lekë të jetë 0,5% dhe pastaj të shikojmë dhe në aspekte të tjera, të uljes së cmimit të energjisë, të uljes së cmimit të ujit, sepse të gjitha këto shtojnë mbi njëra-tjetrën.
25 Prilli është një moment shumë i rëndësishëm. Nuk është çështje thjesht zgjedhjesh politike, por tregojme sesa e duam dhe e vlerësojmë ne familjen tonë, sa i duam dhe i vlerësojmë ne prindërit tanë, fëmijët tanë dhe vendin tone, sa besojmë ne tek vetja jonë. Ne si “Aleancë për Ndryshim” kemi vendosur që të mos i përgjigjemi asaj fushate konfliktuale që po ndërton Edi Rama. Edi Rama vetëm shan, fyen, përbuz dhe kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë politike dhe është në krye të shtetit. Kur je në krye të shtetit ke shumë në dorë për të bërë, për të mirë apo për të keq, por kur shan, fyen dhe përbuz, gjërat nuk shkojnë ashtu sic duhet.
Ne kemi marrë një vendim. Nuk do merremi me Edi Ramën, por do të bashkëpunojmë dhe do të flasim me shqiptarët. Liria dhe dinjiteti janë dy elementë shumë të rëndësishëm në jetën tonë. Liria sepse besojmë që mund të kemi mundësi dhe aftësi për të ndërtuar dhe dinjiteti që garantohet vetëm nëpërmjet punës. Prandaj fokusi ynë është tek punësimi. Punësimi nëpërmjet zhvillimit të ekonomisë dhe të biznesit”,-tha Mediu.