Blendi Fevziu: Ja si do jenë koalicionet. Ben Blushin e njoh mirë, nuk është një njeri që trembet
Gazetari Blendi Fevziu ishte sot i ftuar në emisionin “Fakt” në Syri.net, ku ndër të tjera foli edhe për deputetin Ben Blushi, i cili tashmë po forcon pozitat në skenën politike me krijimin e LIBRA. Fevziu tha se Blushin e konsideron si një nga miqtë e tij më të afërt. Sipas tij, Blushi është njeri që nuk trembet, por e ardhmja e LIBRA do të varet nga shumë rrethana në këtë sistem që është ngritur.
Fevziu foli edhe për koalicionet politike në zgjedhjet 18 qershorit. Ai tha se LSI mund tia dalë edhe e vetme në zgjedhjet e 18 qershorit dhe Meta mund të imponohet për çdo lloj pozicioni ndaj partive të cilat do ti kërkojnë atij votat për të bërë mazhorancën.
(Më poshtë mund të lexoni një pjesë nga intervista)
Çim Peka: Ben Blushi? Askush nuk e priste nga ne se Ben Blushi do ti shkonte deri në fund diçkaje pasi shumë herë betejat politike duket se i ka lënë në gjysmë tashmë ka krijuar një parti. Si e shihni të ardhmen mediatikisht?
Blendi Fevziu: Ben Blushin unë mund të jem një nga të paktit njerëz që sot qarkullojnë në publik që e njeh mirë. E njoh që fëmijë, ka qenë një nga njerëzit shumë të afërm të mi gjatë gjithë viteve të shkollës. Vijon sot, në rast se do të më pyesësh se kush janë miqtë e tu? Unë Blushin do ta rendis në të parët ose të dytë, apo në 3-4 miqtë më të afërt.
Është një miqësi që zgjat tashmë prej 30 vjetësh, është një miqësi e cila është vendosur në rrethana kur interesi nuk ekzistonte, kur raportet nuk ekzistonin. Ishim të dy studentë me duar në xhepa, që ëndërronim në atë kohë të bëheshim shkrimtarë dhe që u bashkuam ose krijuam miqësi në bazën e interesave të përbashkëta, ose interesave intelektuale dhe jo mbi bazën e interesit. Unë Blushin e njoh mirë. Blushi është person shumë këmbëngulës, Blushi është një personazh që lufton, mbi të gjitha Blushi është një personazh shumë trim.
Kushdo që mendon që mund ta trembi Blushin, e ka shumë gabim, ai nuk është një njeri që trembet. Këtë gjë e di shumë mirë, si një adoleshent që ishte i gatshëm të përplasej për idetë e veta edhe fizikisht, pra ishte një person që nuk trembej kurrë, me Blushin ideja e frikës nuk ekziston. A do ketë shanse Blushi në këtë sistem që është ngritur, ky është një ekuacion që varet nga shumë rrethana.
Çim Peka: Në gjykimin tuaj në rast se Meta del vetëm, a mund të mbijetojë si faktori përcaktues i dy zgjedhjeve të fundit, pra i 2009-s dhe 2013-s?
Blendi Fevziu: Unë nuk e di si mund të jetë raporti, por në gjykimin tim po. Tani unë nuk mund të bëj Kasandrën, nuk mund të parashikoj votat, por unë mendoj që Meta konsolidohet si një faktor determinues.
E dyta, duke pasur votat e tij Meta mund të imponohet për çdo lloj pozicioni ndaj partive të cilat do ti kërkojnë atij votat për të bërë mazhorancën. Pra në këtë pikë ai do ketë një pozicion shumë herë më të fortë se ai që do të jetë anëtar i një pozicioni paraqeverisës ku ka marrë votat që i mbesin partisë tjetër.
KOHA JONË SONDAZH

