Blendi Gonxhja: Porto Palermo Festival nis përtej skenës, me një akt që zgjon ndërgjegjen kolektive
Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, këtë mëngjes ka ndarë me publikun një fotogaleri të mbushur me energji pozitive dhe përgjegjësi qytetare. Në shoqërim të saj, ai ka shkruar fjalë që nuk janë thjesht përshkrim i një ngjarjeje, por një thirrje për kujdes e dashuri ndaj natyrës:
“Shembujt që zgjojnë ndërgjegjen kolektive dhe kujdesin për natyrën meritojnë vëmendje të veçantë.
Dita 1 e Porto Palermo Festival nisi përtej skenës, me një akt simbolik por shumë domethënës: pastrimin e zonës përreth kalasë dhe detit nga mbi 150 vullnetarë e zhytës të përkushtuar. 👏🏻
Pastrimi i detit dhe i zonës përreth nuk është vetëm një punë fizike, por një akt ndërgjegjësimi, një mesazh dashurie për natyrën dhe një premtim për të ardhmen.
Edicioni i 5-të i Porto Palermo Festival sapo ka nisur!”
Këto rreshta shoqërojnë pamjet ku shihen dhjetëra vullnetarë dhe zhytës, me doreza, thasë mbeturinash e pajisje zhytjeje, duke mbledhur mbeturina nga brigjet, duke pastruar ujin pranë kalasë historike të Porto Palermos dhe duke i dhënë zonës një frymëmarrje të re.
Festivali i 5-të i Porto Palermos, që këtë vit pritet të mbledhë artdashës, turistë dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë, nisi me një vepër konkrete dhe simbolike njëkohësisht. Para se të ndizen dritat e skenës dhe të kumbojë muzika, mbi 150 vullnetarë dhanë një mesazh të fuqishëm:
Kultura nuk është vetëm argëtim; kultura është edhe kujdes për mjedisin ku jetojmë.
Ky pastrim nuk ishte një aksion sporadik, por një akt ndërgjegjësimi që përçon idenë se dashuria për natyrën dhe trashëgiminë kulturore duhet të jenë pjesë e pandashme e çdo aktiviteti. Të pastrosh detin e brigjet përreth është të kujdesesh për një trashëgimi të përbashkët, për një të ardhme më të gjelbër, më të shëndetshme dhe më të bukur.
Duke ndarë këtë mesazh, ministri Gonxhja shpalos një vizion të qartë: festivali nuk është vetëm skenë, por edhe skenë shembulli.
Një vend ku arti takon ndërgjegjësimin, ku muzika bashkëjeton me përgjegjësinë dhe ku publiku ftohet të jetë jo vetëm spektator, por edhe qytetar aktiv.
Ky edicion i Porto Palermo Festival sapo ka nisur, dhe nisja e tij tregon se përtej tingujve dhe dritave, më e rëndësishmja është të zgjojmë ndërgjegjen tonë kolektive për të mbrojtur atë që kemi më të shtrenjtë: natyrën dhe trashëgiminë që na është besuar.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

