Blindohet Beogradi, Edi Rama do të pritet në Beograd si Putin e Clinton

Masat e sigurisë, në vizitën e Edi Ramës, do të jenë të ngjashme me masat e marra gjatë vizitave të presidentit rus Vladimir Putin, apo përfaqësuesve të lartë amerikanë, Joe Biden e Hillary Clinton.

Por, autoritetet serbe janë shprehur më parë se nuk dinë se ç’farë mesazhi do të lërë  Rama, në Beograd.  Kryeministri shqiptar është parë shpesh nëpër Tiranë të ecë në këmbë, pa forca sigurie, ndaj sipas gazetës, nuk dihet ende nëse kryeministri shqiptar do të preferojë të ecë në këmbë edhe në Beograd. Në këtë rast, nga Beogradi do të nevojiteshin masa shtesë dhe forca të tjera sigurie. Mësohet se shefi i qeverisë shqiptare dhe delegacioni që do ta shoqërojë atë, do të qëndrojnë në Beograd në hotelin me 5 yje “Hyatt”, që pritet të jetë “i blinduar” nga të gjitha anët.

Vizita e kryeministrit shqiptar në Beograd ishte parashikuar të zhvillohej në tetor, por u shty pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Me ndërhyrjen e Gjermanisë dhe kancelares Merkel, më pas palët ranë dakord që kjo vizitë të zhvillohet më 10 nëntor. Një udhëheqës i lartë shqiptar do të jetë në Beograd, pas gati 7 dekadave, por duhet theksuar fakti se në kohën kur kryeqytetin serb e vizitoi Enver Hoxha, fill pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ish-Jugosllavisë ishin të shkëlqyera.

SHKARKO APP