Blushi: Po të shesësh një ton kanabis je i mirë, po të pish një cigare je i fshirë
Kreu i LIBRA, Ben Blushi ka reaguar përmes një statusi në ‘Facebook’ për vetëvrasjen e 22-vjeçarit nga fshati Kolonjë i Lushnjës, Estref Halili në burgun e Rrogozhinës të cilin e shoqëron me një foto të tij.
Sipas Blushit, 22-vjeçari nuk është i pari që humb jetën në besë të shtetit, pasi si ai kanë humbur jetën edhe Ardit Gjoklajt në Sharrë.
Për këto ngjarje nuk mban përgjegjësi askush sipas Blushit, ndërsa investitorët e kanabisit mbrohen nga shteti.

Kujtojmë se Estref Halili një 22-vjeçar nga fshati Kolonjë i Lushnjës, i cili vuante dënimin në burgun e Rrogozhinës u gjet i vdekur në qelinë e burgut. 22-vjecari ishte transferuar nga qyteti i Fierit për në burgun e Rrogozhinës më datë 26 dhjetor 2016, i ndaluar nga policia, pasi në makinën e tij tip ‘Volksëagen’ iu gjet një dozë lëndë narkotike kanabis, si dhe një thikë. Ndërsa i ati i tij është shprehur se i biri nuk ishte trafikant, por vetëm përdorues, dhe shton ta ketë kryer këtë akt në gjendje të rënduar psikologjike.
POSTIMI I BLUSHIT NE FACEBOOK:
Ky është Estref Halili, që u vetëvra në burgun e Rrogozhinës pasi kishte përfunduar aty për një cigare hashash. Nuk është i pari që humb jetën në besë të shtetit që duhet ta mbronte. Para tij i ka ndodhur Ardit Gjoklajt në Sharrë apo Isufit që nuk kishte paguar faturën e energjisë dhe përfundoi si Estrefi. Askush nuk mban përgjegjësi për ta. Askush nuk ikën nga puna,askush nuk kërkon ndjesë, askush nuk i ngushëllon. Në Republikën tonë nuk ka asnjë investitor të fushave me kanabis në burg. Ata mbrohen nga shteti. Ndërsa djem si Estrefi kalben në burg se kanë pirë cigaret që shiten me license shtetërore. Kjo është Republika e Kanabisit. Po të mbjellësh një arë je i lirë, po të shesësh një ton je i mirë, po të blesh një gram je i grirë, po të pish një cigare je i fshirë. Ngushëllime familjes së Estrefit. Shpresoj të jetë i fundit!
/BW
KOHA JONË SONDAZH

