Boçi: Bashkia po blen votat e qytetarëve! Llatja: Veç “foltorja” mund të kërcënojë shoqatat e bamirësisë me padi penale
Vijojnë akuzat e kandidatëve në Elbasan. Partia Demokratike në Elbasan ka deklaruar se do të padisë kryetarin e Bashkisë Gledjan Llatja, pasi sipas tyre po blen votat e qytetarëve për zgjedhjet e 14 majit. Me anë të një reagimi për mediat, PD-ja e Elbasani thotë se Llatja me anë të organizatave të bamirësisë po u jep ndihma në këmbim të votës.
Nuk ka munguar as reagimi i Bashkisë së Elbasanit, ku kryebashkiaku Gentjan Llatja tha se një akuzë e tillë nuk është e vërtetë, e ndërsa u ndal te padia e paralajmëruar nga PD për këto shoqata. Sipas tyre, nuk e kishin dëgjuar më parë një kërcënim për padi ndaj një shoqate që bën bamirësi.
“Vetëm një mendje e sëmurë për pushtet si ajo e shtetasit Luçiano Boçi mund të kërcënojë shoqatat e bamirësisë me padi penale. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që një forcë politike të shantazhojë shoqatat e bamirësisë pse ndihmojnë njerëzit apo të sulmojë organizatat fetare pse u qëndrojnë afër besimtarëve të tyre. Në vend që ti falënderojë ato për angazhimin krejt vullnetar në mbështetje të shtresave në nevojë në territorin e Bashkisë së Elbasanit, oferta e ricikluar politike e “foltores” ka zgjedhur ti vendosë në tabelë qitjeje e ti përdorë politikisht si të vetmen mënyrë për të vetkënaqur egon për pushtet.Taksirati i qytetarëve të Elbasanit që do të duhet të shohin e të dëgjojnë të tilla shfaqje të rëndomta deri në 14 Maj kur “foltorja” e Sali Berishës dhe Ilir Metës bashkë me mëkëmbësin e ricikluar do marrin përgjigjen e merituar me disfatën më të thellë elektorale”, përfundon njoftimi i Bashkisë.